“Po është në rritje numri i pacientëve, sidomos qysh nga periudha tetor – nëntor kur fillon koha e virozëve, po ashtu edhe këtyre ditëve kemi pasur fluks të madh të vizitave pediatrike si pasojë e gripit sezonal. Te foshnjat gripi po zgjat pesë deri në shtatë ditë. Fëmijët në dy-tri ditët e para po kanë temperaturë, por që pas ditës së dytë dhe të tretë po fillojnë të stabilizohen dhe kryesisht i trajtojmë me terapi simptomatike”, tha ajo.
Edhe disa nga prindërit të cilët i kishin sjellë fëmijët e tyre të pediatri për vizitë, thonë se fëmijët ka disa ditë që nuk ndihen mirë si pasojë e gripit sezonal.
“Fëmija po më ankohet që ka dhimbje të fytit që dy ditë. Sot e solla te mjeku për kontroll. Tash isha e mora nga shkolla, sepse i ka disa simptoma të gripit, si lodhje, plogështi, dhimbje fyti dhe temperaturë. E solla në vizitë te pediatri”, tha një qytetar.
Edhe pediatri Nexhmedin Osmani, thotë se këtyre ditëve kanë pasur shumë vizita pediatrike por që nuk ka qenë raste të rënda. Ai tregon simptomat të cilat iu shfaqën fëmijëve.
“Fëmijët kryesisht vijnë më ankesa që kanë kollitje, temperaturë, plogështi. Ndërsa fëmijët e moshës me madhore vijnë kryesisht me kollitje të thatë, e që dyshohet që mund të jetë ndonjë lloj i COVID-19”, tha ai.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, gripi sezonal te fëmijët zgjat pesë deri në dhjetë ditë. Ata rekomandojnë që të mos ketë përdorim të antibiotikëve në raste virozash.