Lajme
Shtyhet konkursi për kryeprokuror të Prokurorisë në Gjakovë
Demokracia
12:20 | 11 Qershor 2023

Share:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka shtyrë afatin për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i cili ishte paraparë të fillonte më 1 qershor 2023.

Kjo pasi, po në atë datë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Prokurorin e Shtetit, i cili ka paraparë kritere tjera për përzgjedhjen e Kryeprokurorëve në Prokuroritë Themelore, në krahasim më ligjin paraprak dhe Rregulloren Nr. 06/2019, për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të Prokurorive, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë arsye, më 31 maj 2023, KPK ka marrë vendim që ta shtyjë hapjen e këtij konkursi deri në plotësim-ndryshimin e rregullores së re.

“Me qëllim që procesi të realizohet në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi, dhe duke pas parasysh që rregullorja Nr. 06/2019, emërimin e Kryeprokurorit të shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore të Republikës së Kosovës është në kundërshtim më Ligjin NR.08./L-167, për Prokurorin e Shtetit, u vendos që të shtyhet afati i shpalljes deri në miratimin e rregullores me ndryshme e cila do të përcaktoj kriteret për emërimin e kryeprokurorëve”, thuhet në vendim.

Me Ligjin e ri për Prokurorin e Shtetit parashihen këto kritere që duhet t’i plotësojnë kandidatët për të ushtruar pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore: të jetë prokuror me mandat të përhershëm; të mos jetë i dënuar për vepër penale, përjashtimisht veprave penale të kryera nga pakujdesia, të mos ketë aktakuzë të ngritur, përjashtimisht atyre të ngritura për vepra penale të kryera nga pakujdesia; të ketë vlerësim të dalluar apo të mirë të performancës në dy (2) vlerësimet e fundit të rregullta; të tregojë dhe dëshmojë integritet të lartë dhe aftësi menaxheriale; të mos ketë të shqiptuar masë disiplinore, me përjashtim të qortimit apo vërejtjes jo-publike në pesë (5) vitet e fundit; të ketë së paku pesë (5) vite përvojë pune si prokuror.

Ndryshe, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e mbajtur më 23 maj 2023, kishte vendosur për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Deri tek shpallja e këtij konkursi erdhi pasi ish-kryeprokurori i mëparshëm Ramiz Buzhala ishte degraduar nga KPK-ja dhe i njëjti ishte transferuar si prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Vendimin për shqiptimin e kësaj mase disiplinore e kishte konfirmuar edhe Gjykata Supreme, e cila më 10 shkurt 2023 e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e ish-kryeprokurorit Buzhala.

Ndryshe, Buzhala ishte suspenduar nga puna, një ditë pas raportimit se ai kishte dërguar pyetje të testit një kandidati për bashkëpunëtor profesional.

Që nga suspendimi i ish-kryeprokurorit Buzhala më 14 korrik 2022, pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit e ka ushtruar, prokurori Enis Gashi.

Të ngjashme