Lajme
Shtyhet gjykimi ndaj drejtorit të shkollës “Rezonanca”, i akuzuar për rrahjen e një nxënësi
Demokracia
12:38 | 23 Mars 2022

Share:

Në mungesë të të pandehurit Egzon Ratkoceri, është shtyrë seanca e paraparë për të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

I pandehuri i lartcekur po akuzohet se në tetor të 2020-ës, në cilësinë e personit zyrtar, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare si drejtor i shkollës, duke e keqtrajtuar të dëmtuarin e mitur D.H, nxënës i klasës së 10-të, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Avdirrahman Gashi për të pandehurin Ratkoceri ka thënë se, për të njëjtin mungojnë provat se është ftuar në mënyrë të rregullt.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance e radhës u caktua më 20 prill 2022.

Gjykatësi Gashi, për të pandehurin Ratkoceri tha se, do të ftohet në mënyrë të rregullt.

Ndryshe, në këtë seancë, nga prokuroria i pranishëm ishte Besnik Jakupi.

Me datën 12 tetor 2020, rreth orës 09:00, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Rezonanca”, në Prishtinë, i pandehuri Egzon Ratkoceri, në cilësinë e personit zyrtar, ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare si drejtor i shkollës, ashtu që, e kishte keqtrajtuar të dëmtuarin e mitur D.H, nënës i klasës se X.

Sipas aktakuzës, në atë mënyrë që pasi i pandehuri e kishte parë të dëmtuarin pa maskë, në prezencën e gjithë shokëve dhe shoqeve të klasës, fillimisht i kishte thënë se pse po e shikonte si “magjup” dhe më pas e kishte godet me forcë me shuplakë në krahun e majtë, me ç’rast e kishte fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarit të mitur.
Më këtë i pandehuri ngarkohen me kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

 

 

Të ngjashme