Lajme
Shtrenjtimi i rrymës: PDK dhe LDK zotohen se Bordi i ZRrE-së do të mbajnë përgjegjësi penale
Demokracia
18:00 | 20 Prill 2025

Share:

“Ata, i madh e i vogël (Bordi i ZRrE-së), kanë m’e dhanë përgjegjësi penale…këto vepra nuk ja plaken”

Faturat e reja të energjisë elektrike me shtrenjtimin e tretë qytetarët do t’i gjejnë të ngjitura në dyert e tyre dita-ditës: ndërsa Albin Kurti nuk flet për asgjë – çan mespërmes gazetarëve – duke mos u përgjigjur madje as për atë nëse i ka numrat për qeveri dhe konstituar kuvendin.

Shtrentjimi i tretë i energjisë elektrike veçse pashkëputshëm po vjen një valë të re rritjesh të çmimeve në artikujt bazikë ushqimorë: duke nisur prej bukës.

ZRrE-ja, anëtarët e Bordit të të cilës i ka emëruar vetë, dhe me në krye të saj njerëz të dëgjueshëm, përfundimisht ngritën edhe për 16.1% të çmimit të energjisë: që në grumbullim që nga kur vendin e qeveris Albin Kurti, përkthehet në mbi 150 % më shumë shtrenjtim – ndonëse është ngjitur në pushtet me votëzim për lirimin e çmimit.

As edhe një reagim të vetëm nga Vetëvendosja deri më tash për rritjen e tretë të energjisë.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë zotuar se me t’u themeluar Kuvendi i Kosovës, Bordi i ZRrE-së do të shkarkohet menjëherë dhe për anëtarët e saj, do të ketë hapësirë që të ndiqen penalisht.

“Ata njerëz kanë m’e u ballafaqu dhe kam thanë, kanë me u ballafaqu m’e përgjegjësi penale, ligjore; i madh e i vogël”, tha Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në intervistën e tij të fundit në “Pressing” të T7.

“E para e punës – për bordin e ZRrE-së – nëse e bëjmë shumicën parlamentare, ata krejt kemi m’ei shkarku; dhe, besoj që për krejt ka hapësirë m’ei procedu penalisht. Ata e kanë shkel kompetencën dhe besimin që ua ka dhanë Kuvendi i Kosovës. Ata veç për qytetarët e Kosovës nuk jan t’u punu”, tha Krasniqi.

“Bordi i ZRrE-së, po mendojnë që në katrahurën që e ka shkaktu Albin Kurti – duke i leju ata me rritë çmimin e rrymës, duke u mundu me njëfarë kamuflazhe sikur ‘rritne më shumë, ose më pak’ dhe prap ajo që është paralajmëru prej ditës së parë ka ndodhë: rritja e tretë”, tha ai.

Pas shtrenjtimit të energjisë, Kosova pritet të goditet me rritje çmimesh në të gjitha produktet

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ndër më vokalet kundër shtrenjtimit të rrymës me vendim/leje të ZRrE-së, po ashtu ka thënë se do të kërkojnë llogaridhënie nga ky Bord.

“Nëse në këtë legjislaturë ka deputetë që përfaqësojnë interesin e qytetarëve, atëherë do ta shkarkojmë bordin aktual. Nëse bordi aktual nuk e shfuqizon vendimin, atëherë bordi i ri do ta bëjë këtë pa asnjë dyshim”, ka thënë Hykmete Bajrami.

Për Bajramin dhe Krasniqin këto shtrenjtime shkojnë për hesape të mafisë energjetike, emri më i asocuar i të cilëve ndër kosovarë është ambasadori kontravers i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Ata njerëz (Bordi i ZRrE-së) kanë m’e u ballafaqu dhe kam thanë, kanë me u ballafaqu m’e përgjegjësi penale, ligjore; i madh e i vogël. Sepse po menojnë që munden m’u mshef. Se nashta i kanë mashtru që ‘mos t’ua ndien se jemi ne në pushtete, dhe ju mbrojmë’. Jo s’mund i mbrojnë. Qito vepra që i kanë bo, këto s’ju plaken”, tha Krasniqi.

“Unë e di qysh janë tu i rrejt: hajt se keni imuninet mandator. Nuk kanë. Ti me rrit mu rrymën 100% çdo vjet a? Për interes të kujt? Të oligarkëve të Albin Kurtit? 700% është rrit importi i rrymës, kush i merr ato pare? Martin Berishaj me shokë të vet? Mafia Energjetike? GEN-I? Krejt qata që e kanë bazën në Serbi? Dhe kur? Kohën e kësaj mjegullnaje”, tha Krasniqi.

Për Hykmete Bajramin, po ashtu adresa është te mafia energjetike dhe interesat e KEDS-it.

“Kjo ndodh kur ke një kryeministër si Albin Kurti e një ministre si Rizvanolli, të cilët që katër vite mbrojnë Nagipat e Martinat; kur ke një bord të ZRRE-së të ndikuar nga partia në pushtet që majë fitimet e KESCO-s dhe të KEDS-it; një ZRRE që ruan sekretin financiar të këtyre kompanive dhe në emër të kostove të operimit – lexo fitimit rrit çmimin e energjisë elektrike për të tretën herë”, tha ajo

Të ngjashme