Lajme
Shtrenjtimi i rrymës, Halimi: Qeveria po e shet mashtrimin si strategji
Demokracia
17:49 | 30 Mars 2023

Share:

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se ekonomia familjare e qytetarëve po rëndohet çdo ditë, duke përmendur shtrenjtimin e produkteve bazë, rritjes së tatimit në pronë, humbjet e Trustit dhe vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 15 përqind.

Halimi ka drejtuar akuza në drejtim të Qeverisë Kurti, që sipas saj po mashtron qytetarët “me fjalë boshe e prezantime të shifrave imagjinare”.

“E Qeveria e propaganduar e shpresës, nuk ka asnjë zgjidhje që lehtëson jetën e qytetarëve, pos qe mashtrimin e shet si strategji. Fatkeqësisht, derisa përditshmëria e qytetarëve është duke u vështirësuar, vendi qeveriset nga një pushtet i humbur në kohë dhe hapësirë. Asnjë veprim e masë për të ndryshuar këtë gjendje të krijuar, vetëm fjalë boshe e prezantime të shifrave imagjinare që i cilësojnë suksese, por që populli i Kosovës nuk i sheh!?”, ka shkruar Halimi në Facebook.

Ndryshe, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka vendosur në mbledhjen e sotme që tarifat e energjisë elektrike të shtrenjtohen për rreth 15 përqind.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

Të ngjashme