Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka thënë për KosovaPress, se vendimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike 16.1 për qind nuk do të përfshijë katër komunat veriore të vendit. Megjithatë, sot pas reagimeve, ka ndërruar qëndrim, duke thënë se tarifat e reja do të vlejnë për gjithë territorin e Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim të datës 25 prill, ZRRE ka shkruar se tarifat e miratuara nga Bordi i këtij institucioni do të hyjnë në fuqi më 1 qershor 2025 dhe do të zbatohen nga Furnizuesi me Shërbim Universal në të gjithë territorin ku ai operon.
Megjithatë, sipas ZRRE-së komunat veriore – të cilat aktualisht furnizohen nga kompania Elektrosever – nuk përfshihen në këtë vendim, pasi siç thuhet nga ZRRE-ja, Elektrosever operon jashtë sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe marrëdhëniet tarifore atje janë të ndryshme.
“Tarifat e miratuara nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) zbatohen nga Furnizuesi me Shërbim Universal duke filluar nga data 01 qershor 2025 në gjithë territorin ku ai operon. Nëse pyetja ka të bëjë me katër komunat veriore të vendit të cilat aktualisht furnizohen nga Elektrosever, atëherë këto tarifa nuk zbatohen në atë pjesë të territorit, për shkak se Elektrosever operon jashtë sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe marrëdhëniet tarifore janë të ndryshme” thuhet në përgjigjen me shkrim nga ZRRE-ja.
Lidhur me këtë ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu e cila ka thënë se kjo është drejtësi selektive.
“ZRRE përjashton katër komunat veriore nga rritja e çmimit të energjisë prej 16.1% e ndërkohë që gjithë të tjerët e paguajnë rrymën me rritje”, ka shkruar ajo.
Ndërkohë, ZRRE sot vendos ta demantoj vetën, duke thënë se tarifa janë të detyrueshme për të gjithë Furnizuesit e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton opinionin publik se Bordi i ZRRE me datë 16.04.2025 ka aprovuar edhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit, Operimit të Sistemit dhe Operimit të Tregut, si dhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes, të cilat tarifa janë të detyrueshme për të gjithë Furnizuesit e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever.
Rritja e tarifave të energjisë elektrike 16.1% vlen për Furnizuesin me Shërbim Universal, që operon në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe këtë obligim të shërbimit universal e ka KESCO. Gjithashtu njoftojmë opinionin publik se furnizuesi i energjisë elektrike Elektrosever ka licencë nga ZRRE për konsumatorët e katër komunave në veri të Republikës së Kosovës, si furnizues komercial, si dhe shumë furnizues tjerë të energjisë elektrike të licencuar nga ZRRE”, thuhet në njofitmin e ZRRE-së të postuar në Facebook.