Lajme
Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ja sa pritet të rritet çmimi i miellit
Demokracia
11:26 | 20 Prill 2025

Share:

Pas rritjes së çmimit të rrymës për 16.1 për qind nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), pritet të ketë edhe rritje të çmimit të miellit dhe produkteve të tjera. Kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu, ka theksuar se çmimi i energjisë elektrike ka një ndikim të drejtpërdrejtë në koston e prodhimit të mallrave, duke ndikuar sipas tij në çmimet e produkteve të ndryshme. Derisa edhe qytetarë dhe njohës të ekonomisë vlerësojnë se ky vendim është i padrejtë krahasuar me standardin e jetesës, raporton KosovaPress.

Zejnullahu ka sqaruar se, megjithëse energjia elektrike është një faktor i rëndësishëm, nuk është pjesë e madhe e kostos së prodhimit të miellit. Për këtë arsye, ai ka theksuar se shtrenjtimi i miellit nuk pritet të jetë i madh, ndonëse mund të ketë një rritje të lehtë të çmimit, deri në 5 euro për ton.

“Shtrenjtimi i energjisë elektrike për 16.1 për qind që ka vendosur ZRRE-ja do të ketë ndikim dhe shtrenjtim në të gjitha sferat e jetës në Kosovë, pasi energjia elektrike është një faktor që ndikon në koston e prodhimit, përpunimit, e kështu më radhë. Mirëpo sa i përket miellit nuk ndikon drejtpërdrejt në një ngritje të madhe, pasi që energjia elektrike në koston e prodhimit nuk është pjesë e madhe e përbërjes së çmimit… Nuk duhet të shfrytëzohet kjo situatë si pretekst për t’i ngritur çmimet pa ndonjë arsyeje, nuk e shoh një arsyeje për ngritje të çmimit kaq të mëdha, sigurisht se do të ketë një ngritje të çmimit të lehtë. Nëse flasim për miellin drejtpërdrejt, nëse çmimi sot është 320 apo 350, çmimi që mund të ngritët maksimumi, mundet me qenë rreth 5 euro për ton”, thotë Zejnullahu.

Lexo po ashtuAIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatësNë anën tjetër të shqetësuar shprehen qytetarët. Qytetari, Fadil Rugova konsideron se vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike, është i padrejtë, pasi do të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të produkteve tjera. Përveç mosndërhyrjes së shtetit për parandalimin e rritjes së çmimit, ai thotë se të njëjtit po veprojnë kundër popullit.
Edhe qytetari, Hajrullah Avdullahu thotë se në rast se rritet edhe çmimi i bukës, kjo sipas tij do të jetë e papërballueshme.

Ndërkaq, edhe qytetarja, Esma Rugova thotë se vendimi për shtrenjtim të rrymës dhe paralajmërimi për shtrenjtim të bukës është i padrejtë.

Në anën tjetër, njohësi për çështje të ekonomisë, Adem Qorrolli ka thënë se rritja e çmimeve për energjinë, bukën dhe produkte të tjera esenciale është një goditje e rëndë për qytetarët, të cilët tashmë po përballen me një nivel të ulët të të ardhurave.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë të premten e 11 prillit bëri të ditur se rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%, raporton KosovaPress. Qytetarët e Kosovës nga muaji maj do të paguajnë 16 për qind më shtrenjtë për energjinë elektrike. Kështu kishte thënë kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.

Të ngjashme