Lajme
Shtohen zërat për ndikimin e politikës në lirimin e qytetarëve serbë nga paraburgimi, ministri Sveçla hesht
Demokracia
19:35 | 22 Korrik 2023

Share:

Janë shtuar zërat se lirimi nga paraburgimi i serbëve, të cilët sulmuan gazetarët, po bëhet në ndikimin e politikes. Pretendimi i Serbisë se ka pasur dorë në lirimin e tyre dhe heshtja e Qeverisë Kosovës ka rritur dyshimet se lirimi nga paraburgimi i tyre po bëhet me koordinim në mes të dy vendeve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ishte shumë i zëshëm kur Policia e Kosovës arrestonte të dyshuarit për dhunë ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it në veri.

Për çdo arrestim, ai postonte statuse në profilin e tij në “Facebook” duke treguar për veprimtarin e tyre kriminale.

Por, kur ka filluar lirimit i të arrestuarve nga paraburgimi, ministri Sveçla ka heshtur.

Deri me tani katër serbë të arrestuar nën dyshime për sulm ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it janë liruar dhe ministria i Punëve të Brendshme nuk ka folur ende.

Për këtë çështje nuk ka folur as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Heshtjen për këtë temë e ka thyer zëdhënësi i VV-së dhe disa zyrtarë tjerë të partisë në pushtet.

Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, është shprehur i habitur me këto lirime nga paraburgimi.

“Shumica e sulmuesve të gazetarëve që janë liruar këto ditë nga Gjykata nuk janë vetëm sulmues të gazetarëve, ata kanë qenë pjesë aktive e grupeve atje. Pra, ata nuk janë persona që rastësisht janë gjendur në problem apo raste të izoluara, por aktivisht dhe në mënyrë të organizuar janë të përfshirë atje”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, në këto raste kanë mundur të merren edhe masa tjera.

“Është vërtetë e çuditshme mënyra si është marrë vendimi për lirim të këtyre personave veçanërisht me dorëzani kur Kodi Penal ka dhjetëra opsione tjera në këto raste. Këto lirime do të jenë vetëm inkurajim që ata të vazhdojnë avazin e vjetër, ndërkaq për të tjerët stimulim për t’u përfshirë në këto raste/grupe. Dhe me këto vendime, nuk e di si do të jenë të lirë gazetarët të raportojnë sërish nga atje. Dhe jo vetëm ata”, ka bërë me dije Manxhuka.

Pretendimet për ndikimin e politikës

Për lirimin e serbëve të dyshuar nga masa e paraburgimit tyre është “fryer” edhe Serbia, duke marrë merita.

Pas lirimit të Urosh Vukashinoviq, kryenegociatori i Serbisë për bisedime me Kosovën, Petar Petkoviq, ka shkruar se ai “është serbi i katërt që e liruam”.

“Dhe Urosh Vukashinoviq, serb i arrestuar në Leposaviq më 17 qershor nga policia e Kurtit, sot është liruar! Ai sapo ishte bashkuar me familjen e tij. Uroshi është serbi i katërt që e liruam dhe vazhdojmë luftën për të gjithë bashkatdhetarët tanë të arrestuar pafajësisht!”, ka shkruar Petkoviq në llogarinë e tij në “Twitter”.

Ndaj këtyre pretendimeve ka heshtur Qeveria e Kosovës dhe ministrit Sveçla.

Kjo ka bërë që përfaqësuesit e opozitës dhe njohës të rrethanave politike në vend të shprehin dyshime se lirimet po ndodhin me koordinim.

Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka akuzuar kryeministrin Kurti se të dyshuarit për sulme ndaj gazetareve po i liron në koordinim me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiqit.

Ai ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës po i liron serbët e arrestuar nën dyshimin për vepra të rënda penale me të njëjtën strategji që dikur ka liruar ish-policin serbe, Dejan Pantiq.

“Kryeministër, ti si bashkëpunëtor i kryekriminelit dhe nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiqit, je duke i liruar pjestarët e bandave të tij. Qeveria Zdravo po shtiret sikur nuk po e din se pse po lirohen serbët e arrestuar nën dyshimin për vepra të rënda penale, por strategjia që e keni përdorur me lirimin e Pantiqit, nuk iu dhezë më. Të gjithë po e dijmë se ju koordinoheni me Milan Radojçiqin. Edhe lirimin e tyre e keni të koordinuar”, ka shkruar Gjoshi.

Pretendime të njëjta ka shprehur edhe analisti Halil Maloku.

Ai ka bërë me dije se këta janë indikator se marrëveshja e Ohrit po zbatohet në fshehtësi.

“Tërheqja e 25% e policisë speciale nga ndërtesat komunale është hap i parë nga pala kosovare drejt de-përshkalëzimit. Ky hap, së bashku me zgjedhjet e parakohshme në veri (shtator, 2023) si dhe lirimi nga arresti për t’u mbrojtun në liri i pesë serbëve, që ministri Sveçla i portretizonte “terroristë” dhe “kriminelë” âsht indikator se palët kanë nisë me e zbatu Marrëveshjën e Brukselit, përkatësisht Ohrit, prapa shpine dhe syve të publikut”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, kjo është duke u bërë në koordinim në mes të Kurtit dhe Radojçiqit.

“Kurti e Vuçiq e bâjnë këtë maskaradë në koordinim me boss-in e nëntokës në veri të vendit Milan Radojčić, për t’i mbajtun fshehtë nga votuesit e tyne veprimet shtensionuese dhe për me besu turmat në retorikat e forta etno-nacionaliste të tyne. Kinse Vučić po sulmon sovranitetin e Kosovës, e kinse Kurti po e mbronë atë me sukses!”, ka shkruar ai.

Deri me tani nga masa paraburgimit janë liruar Urosh Vukashinoviq, Nemanja Vllaskoviq, Dalibor Spasiq dhe Radosh Petroviq.

 

Të ngjashme