Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka evidentuar shkelje në vendimin e Kuvendit Komunal të Shtimes, në mbledhjen të cilën e ka mbajtur më 28 janar të këtij viti.
Në një dokument të kësaj ministrie të nënshkruar edhe nga ministri Elbert Krasniqi, decidivisht thuhet se vendimi e Kuvendit të mbajtur në datën e lartcekur “është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, shkruhet në dokumentin e kësaj ministrie.
Vendimi i kontestuar nga MAPL është se në zgjedhjen e Komitetit për Komunitete, organ ky i Kuvendit Komunal të Shtimes, nuk është bërë në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore dhe udhëzimet e tjera administrative, të cilat decidivisht kanë të përcaktuara kriteret.
Kjo ministri, ndër të tjera, i ka kërkuar institucioneve të kësaj komune “që të ndërmarrin veprime konkrete dhe aktin e komunës ta harmonizojnë me ligjet në fuqi, brenda 30 ditësh, nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, thuhet në këtë dokument.
E duke i parë këto shkelje, Partia Demokratike e Kosovës, e cila është në opozitë në këtë qytet, ka braktisur mbledhjen e këtij Kuvendi të datës 22 mars.
Madje ata kanë bërë një njoftim publik në rrjetin social “Facebook”, se nuk do të jenë pjesë e një mbledhje Kuvendi ku ka shkelje të ligjit. Po ashtu, ata e kanë akuzuar kryesuesin e Kuvendit për menaxhim të dobët dhe nënshtrim ndaj diktatit të kryetarit të kësaj komune, shkruan Gazeta Metro.
“Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Shtime, nuk do të jetë pjesë e seancave të Kuvendit ku ka shkelje të ligjit, keqmenaxhim dhe keqpërdorim të pozitës nga ana e kryesuesit të Kuvendit, i shtyrë nga kryetari Komunës, i cili edhe mbledhjen e kaluar edhe këtë mbledhje ka shkelur rregulloren e punës së Kuvendit dhe Komiteteve duke mos lejuar qe te hudhet ne votim Rendi i Ditës”, shkruhet në njoftimin e kësaj partie.
Kujtojmë se kjo komunë për herë të parë tani është nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që kryetari aktual Qemajl Aliu në zgjedhjet për balotazh të 14 nëntorit të vitit të kaluar, me një diferencë të ngushtë arriti të mposhtë kandidatin e PDK-së, Naim Ismajlin.