Hapësirat publike dhe parqet e Shtimes do të mbeten “shkret” edhe për një kohë. Mbjellja e drunjve dhe luleve nëpër këto vende ka mbetur vetëm tentativë, pasi tenderi për këtë çështje ka dështuar.
Komuna e Shtimes, që drejtohet nga Qemajl Aliu i Vetëvendosjes, nuk ka arritur që ta bindë asnjë kompani që të konkurrojë në tenderin për “Furnizim me drunjë dekorativ dhe lule”.
Kjo ka bërë që ky tender të dështojë dhe hapësirat publike e parqet e Shtimes të mbeten zbrazët edhe për një kohë.
“Asnjë OE nuk ka konkurruar në ketë aktivitet të prokurimit”, thuhet aty.
Kurse, në dosjen e tenderit është treguar se çfarë kishte planifikuar Komuna e Shtimes që të mbjellë në hapësirat publike dhe parqe.
Sipas parashikimit në qytetin e Shtimes do të mbilleshin Petunia, 3000 copë, Begonia semperflorens 5000 copë, Chrysanthem 135 copë, Plataus acerifolia 18/22 cm 4 copë, Tilia cordata 18/22 cm 2 copë, Mbjellja drunjeve 6 copë, mbjellje luleve 8135 copë dhe disa lloje të plehrave dhe mbrojtëse nga druri (për mbrojtjen e drunjeve).