Ka katër ditë që qytetarët e Shtimes po ballafaqohen me mungesë të ujit.
Ujësjellësi “KRU Prishtina” përmes një njoftimi ka thënë se situata e krijuar nuk dihet sesa do të zgjas dhe arsyet e kësaj situate janë mungesa e reshjeve të shiut, ngritja e temperaturave dhe reduktimet e energjisë elektrike, përcjell Demokracia.com
“Arsyet e kësaj situate janë: mungesa e reshjeve atmosferike të shiut, ngritja e vazhdueshme e temperaturave në vendin tonë, rritja ekstreme e kërkesës për ujë të pijshëm ( përfshirë keqpërdorimin e ujit në forma të ndryshme) si dhe një ndër faktorët kyç të këtij çrregullimi të furnizimit me ujë janë reduktimet e energjisë elektrike që janë shkaktuar si pasojë e zjarreve të mëdha në vendin tonë”, thuhet në njoftim.
Sipas Ujësjellësit kërkesa për ujë është e madhe dhe prodhimi për këtë komunë është e pamjaftueshme tash për tash dhe sa do të zgjas kjo situatë nuk varet nga ta.
“Funksionimi i pompave të ujit është i pamundur pa energji elektrike. Po vazhdojmë të punojmë me kapacitete maksimale të prodhimit në komunën tuaj, por si duket nga rritja ekstreme e kërkesës për ujë nuk janë të mjaftueshme tash për tash, pasi që në këtë rritje të kërkesës hyjnë edhe marrja e ujit nga zjarrfikësit për shuarjen e zjarreve. Se sa do zgjasë kjo situatë, nuk varet më nga ne”, thuhet në njoftim.