Gjatë vitit 2020 dhe 2021 mbi 300 mijë qytetarët në Kosovë janë gjobitur nga policia për shkelje të masave anti-COVID. Më së shumti gjoba janë shqiptuar për persona fizikë. Shuma e mbi 300 mijë gjobave të shqiptuara deri më 19 dhjetor të vitit të kaluar, llogaritet të jetë mbi 10 milionë euro.
Përllogaritja e gjobave nga 35 euro sa është për shkelje të masave nga personat fizikë, të çon te shifra mbi 10 milionë euro. Megjithatë, duke ditur se ka pasur edhe gjobitje të bizneseve, sidomos të gastronomisë, kjo shifër është dukshëm më e lartë, shkruan Demokracia.com.
Policia e Kosovës ka shqiptuar këto gjoba pas miratimit të Ligjit për pandeminë, kur edhe iu lejua zyrtarëve policorë që të kontribuojnë në monitorimin e zbatimit të masave kundër COVID-19.
“Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës sipas planifikimeve ka filluar me kohë realizimin e detyrave konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste, pika kufitare etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa. Nga data 28.08.2020 deri 19.12.2021 janë shqiptuar 303023 fletëparaqitje (tiketa) në bazë të ligjit anti-COVID 19”, ka bërë të ditur policia.
E në lidhje me shumën e këtyre gjobave, Policia e Kosovës ka treguar se nuk i posedojnë këto të dhëna.
“Policia e Kosovës po ashtu përpos angazhimeve operacionale në terren, është angazhuar edhe në parandalim me fushata dhe publikime vetëdijësuese. Njëkohësisht PK kërkon te të gjithë qytetarët, institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit, që t’u përmbahen rregullave dhe të respektojnë masat anti COVID në mënyrë që, të arrijmë t’i ulim shifrat e të prekurve dhe të mbrojmë të gjithë së bashku shëndetin publik, në të kundërtën merren masa ndëshkuese. Ndërsa lidhur me pagesa iu adresoheni autoriteteve kompetente”.
Shifra të larta të gjobave janë edhe për bizneset e që janë shqiptuar nga Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit e Veterinarisë. Gjithsej gjatë 2021-tës janë mbi 6 mijë gjoba të shqiptuara për mosrespektim të vendimeve të Ekzekutivit, shkruan Demokracia.com.
Sipas Ligjit për pandeminë, mosmbajtja e maskës është e dënueshme për personat fizikë, 35 euro, derisa dënimet për biznese arrijnë deri në 2 mijë euro.
Llojet e gjobave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19
Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 hyri në fuqi gjatë gushtit të vitit 2020, ligj ky që ka krijuar bazën ligjore për institucionet shtetërore për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
24.2 Drejtuesi i mjetit motorik i cili nuk e respekton vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të përcaktuar, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.
24.3 Personi fizik i cili nuk e respekton Vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të caktuar, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.
24.4 Personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.
24.5 Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetepesë (35) euro.
25.2 Personi fizik i cili organizon aktivitete publike dhe jopublike të ndaluara me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro dhe ndalimin e aktivitetit.
Masat në fuqi
Masat e reja kundër koronavirusit kanë hyrë në fuqi në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Sipas këtyre masave qytetarët që do të hyjnë në Kosovë duhet të kenë dëshminë e vaksinimit të plotë, të testeve negative apo dëshmisë se e kanë kaluar koronavirusin.
Po ashtu kërkohet nga të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë pas datës 3 janar, 2022, të kenë dëshmi të vaksinimit të plotë, ose një dozë të vaksinës bashkë me test negativ PCR, ose një dozë e vaksinës me dëshminë e kalimit të sëmundjes.
Shtetasve të Kosovës dhe atyre me qëndrim të përkohshëm, iu dha “mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikat kufitare” tokësore, por edhe në aeroportin “Adem Jashari”.
Dëshmia e vaksinimit të plotë po ashtu do të kërkohet edhe nga personat që përdorin transportin publik.
Mbajtja e maskës vazhdon të jetë obligative. Sipas masave, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00.
Ndërkaq, as orari i gastronomisë nuk ka ndryshuar, sektor i cili lejohet të punojë deri në ora 23:00, ndërkaq muzika ndalohet pas orës 21:30.
Klubet e natës dhe organizimi i ahengjeve vazhdon të jetë i ndaluar./Demokracia.com/