Lajme
Shteti paguan 118 mijë euro pensione për personat e vdekur
Demokracia
12:19 | 17 Qershor 2024

Share:

Buxheti i shtetit po dëmtohet edhe nga të vdekurit. Pavarësisht që kanë ndërruar jetë, nga institucionet vendore vazhdojnë të numërohen si të gjallë. Ata nuk janë larguar as nga lista e përfituesve të pensioneve. Vetëm gjatë vitit të kaluar, shteti ka harxhuar rreth 118 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Përfituesit e pensioneve dhe ndihmave sociale nga personat e punësuar dhe pensionet e paguara pas vdekjes, ende po vazhdojnë në Kosovë. Këta e ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditmit në raportin për pasqyrat financiare të audituara për vitin 2023 për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

“Nga krahasimi i të dhënave të MFPT-së për skemat pensionale dhe ndihmat sociale me të dhënat e ATK-së, kemi vërejtur se ekzistojnë raste të përfitimit të pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura personale. Vlera e gabimit financiar për vitin 2023 ishte 134,110€. Krahasuar me vitin e kaluar, vlera e gabimit ka rënie për 140,270€”, ka shkruar auditori në raport, përcjell Demokracia.com.

Sipas ligjeve përkatëse të skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve.

“Pensionet e paguara pas vdekjes – Nga krahasimi i të dhënave/regjistrave ndërmjet MFPT dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil kemi gjetur se gjatë vitit 2023 janë realizuar gjithsej 920 pagesa, në vlerë totale 118,316€, për pensione pas vdekjes së përfituesve”, ka shkruar tutje auditori.

Auditori thotë se pagesat pas vdekjes së përfituesve ndodhin kryesisht si rezultat i lajmërimit me vonesë apo edhe kur vdekjet e përfituesve nuk ishin regjistruar me kohë në ARC dhe ministria nuk kishte informata për rastet.

Sipas ZKA-së, përfitimi i pensioneve nga personat e punësuar dhe mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave shkaktojnë pagesa të parregullta, duke dëmtuar kështu buxhetin e ministrisë.

“Ministri duhet të analizojë në hollësi çështjen e pagesave më sipër dhe të shqyrtojë mundësitë për kthimin e tyre nga shfrytëzuesit në llogarinë e buxhetit. Gjithashtu duhet të sigurojë forcimin e kontrolleve të brendshme në mënyrë që të krijojë një komunikim më efektiv ndërmjet databazave të skemave pensionale”, ka rekomanduar auditori./Demokracia.com/

 

Të ngjashme