Lajme
Shteti i Kosovës në shërbim të Listës Serbe, sot rihapet procesi zgjedhor në veri për t’ia mundësuar kandidimin partisë së Rakiqit dhe Radojçiqit
Demokracia
13:03 | 08 Shkurt 2023

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhje. Sipas njoftimit, gjatë kësaj mbledhje do të shqyrtohen dhe miratohen: vendimi për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave: Zveçan dhe Leposaviq, që do të mbahen më datë 23 Prill 2023; Plani Operacional për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave: Zveçan dhe Leposaviq, që do të mbahen më datë 23 Prill 2023.

Kjo pikë e rendit të ditës po i hap rrugë Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që të bëjë rihapjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave të veriut të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) dhe zgjedhjet për dy kuvendet komunale (Leposaviq dhe Zveçan), shkruan Demokracia.com.

Rihapja e procesit zgjedhor, pas certifikimit të mëhershëm, është një mundësi e artë për Listën Serbe, që i priu bojkotit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe i përkrahën barrikadat në veri të Kosovës për të kandiduar.

Demokracia.com kishte raportuar se me këtë vendim të presidentes Osmani, KQZ-ja do të jetë e detyruar të bëjë thirrje të re për aplikim të subjekteve politike.

Vendimi i presidentes Osmani atë kohë kishte marrë mbështetjen edhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili kur veriu ishte i bllokuar shprehej ashpër në deklaratat e tij kundër Beogradit dhe sidomos nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq.

Deklaratat e ashpra të Kurtit kundër Radojiçiqit si duket kishin qëllim të fshehin shërbimin e madh që po i bëhej Listës Serbe, duke ua rikthyer procesin në pikën zero vetëm që të kandidonin edhe ata, pas bojkotimit që ia kishin bërë.

I ashpër në deklarata kundër Listës Serbe ato ditë ishte edhe përfaqësuesi i Kurtit në KQZ, Sami Kurteshi, i cili para shtyrjes së zgjedhjeve deklaronte se kjo parti është organizatë terroriste.

“Qëllimi nuk është as te zgjedhjet, as te targat, por qëllimi që po e ndjek Serbia është që të dëshmojë se me Listën Serbe, që më gjasë është organizatë terroriste ose pjesë politike e një organizate politike, të krijojë një gjendje të tillë në veri, që dëshmon se pushtetin faktik e kanë ata dhe se shteti i Kosovës nuk e kontrollon një pjesë të territorit të vet”, është shprehur Kurteshi.

Vendimi i presidentes Osmai dallon skajshmërisht nga ai i marrë nga ish-presidenti Hashim Thaçi në rastin e Podujevës, ku zgjedhjet u shtyn për shkak të pandemisë COVID-19.

Ish-presidenti Thaçi vetëm e kishte shtyrë datën e zgjedhjeve në një afat të pacaktuar, kurse presidentja Osmani jo vetëm që ka shtyrë zgjedhjet, por edhe e ka caktuar datën e re, duke e rihapur sërish procesin zgjedhor pas certifikimit të kandidatëve.

Po ashtu, shtyrja në rastin e Podujevës ishte bërë me rekomandim të Institutit të Shëndetësisë Publike dhe me kërkesë të KQZ-së, ndërsa Osmani e ka rihapur procesin zgjedhor, duke e shtyrë datën e mbajtjes së zgjedhjeve, duke i thirrur në rekomandime të paqena të institucioneve të sigurisë dhe në takimin me partitë politike, pasi që vetë ministri Sveçla kishte deklaruar që mund të sigurojë mbajtjen e zgjedhjeve në atë kohë.

Para se Osmani ta merrte këtë vendim, ambasadorë të shteteve të Kuintit i kishin shpeshtuar vizitat te partitë politike, ku sipas burimeve të afërta me to, u kishin kërkuar që të mos e dërgonin presidenten Osmani në Kushtetuese për këtë vendim. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme