Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me dekretin e saj për (1) shtyrjen e zgjedhjeve, (2) caktimin e datës 23 prill 2023 për mbajtjen e tyre dhe (3) udhëzimin e KQZ-së që t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për organizimin e tyre në këtë datë, fsheh një qëllim të vetëm të saj, rihapjen e procesit zgjedhor.
Me rihapjen e procesit zgjedhor do të hidhen poshtë të gjitha përgatitjet që i ka zhvilluar KQZ-ja, përfshirë edhe subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të katër komunave të veriut të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) dhe në zgjedhjet për dy kuvendet komunale (Leposaviq dhe Zveçan), shkruan Demokracia.com.
Pra, kjo është një mundësi e artë për Listën Serbe, që po i prin bojkotit të intitucioneve të Republikës së Kosovës. Sipas vendimit të presidentes Osmani, KQZ-ja do të jetë e detyruar të bëjë thirrje të re për aplikim të subjekteve politike.
Vendimi i presidentes Osmani ka marrë mbështetjen edhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili është i ashpër në deklaratat e tij kundër Beogradit dhe sidomos nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq.
Deklaratat e ashpra të Kurtit kundër Radojçiqit si duket kanë qëllim të fshehin shërbimin e madh që po i bëhet Listës Serbe dhe Beogradit nga Vetëvendosje dhe Presidentja e Kosovës e zgjedhur nga kjo parti politike pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
I ashpër në deklarata kundër Listës Serbe po del se është edhe përfaqësuesi i Kurtit në KQZ, Sami Kurteshi, i cili para shtyrjes së zgjedhjeve tha se kjo parti me gjasë është organizatë terroriste.
“Qëllimi nuk është as te zgjedhjet, as te targat, por qëllimi që po e ndjek Serbia është që të dëshmoj se me Listën Serbe, që më gjasë është organizatë terroriste ose pjesë politike e një organizate politike, të krijojë një gjendje të tillë në veri, që dëshmon se pushtetin faktik e kanë ata dhe se shteti i Kosovës nuk e kontrollon një pjesë të territorit të vet”, është shprehur Kurteshi në “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Vendimi i presidentes Osmai dallon skajshmërisht nga ai i marrë nga ish-presidenti Hashim Thaçi në rastin e Podujevës, ku zgjedhjet u shtyn për shkak të pandemisë COVID-19.
Ish-presidenti Thaçi vetëm e kishte shtyrë datën e zgjedhjeve në një afat të pacaktuar, kurse presidentja Osmani jo vetëm që ka shtyrë zgjedhjet, por edhe e ka caktuar datën e re, duke e rihapur sërish procesin zgjedhor pas certifikimi të kandidatëve. /Demokracia.com/