Lajme
Shteti harxhon 4.4 milionë euro për blerjen e veturave të reja
Demokracia
22:41 | 30 Tetor 2024

Share:

Në kohën kur qytetarët po përballen me mungesë të investimeve kapitale në infrastrukturë dhe përmirësimin e shërbimeve bazike, shteti ka vendosur të shpenzojë një shumë të majme prej 4.4 milionë euro për blerjen e veturave të reja për institucionet publike, shkruan Demokracia.com.

Tenderi i organizuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit “Furnizim me vetura për institucionet e Republikës së Kosovës” ka ndarë kontratat për pesë pjesë të veçanta, ku operatorët ekonomikë Auto Mita SH.P.K, Mercom Company SH.P.K. dhe Porsche Kosova SH.P.K janë shpërblyer me marrëveshje që arrijnë vlera të mëdha për furnizim me vetura të modeleve të ndryshme.

Në përmbledhje, këto janë disa nga kontratat e fituara:

  • Auto Mita SH.P.K – 262,650.00 euro për Modelin 1 dhe 337,960.00  euro për Modelin 3.
  • Mercom Company SH.P.K – 1,292,820.00  euro për Modelin 2.
  • Porsche Kosova SH.P.K – 1,185,120.00  euro për Modelin 4 dhe 1,402,200.00 euro për Modelin 5.

Vlera totale e të gjitha ofertave është 4,480,750.00 euro.

Tenderi ishte hapur më gusht 2024 dhe përfshin blerjen e pesë llojeve të veturave për disa institucione publike në Kosovë.

Këto shpenzime të reja, ndonëse të justifikuara për përmirësimin e flotës së veturave zyrtare, ngrisin pyetje se përse këto investime nuk janë drejtuar në projekte kapitale, të cilat prekin drejtpërdrejtë jetën e tyre të përditshme.

Në këtë sfond, vlen të theksohet se investimet kapitale që janë premtuar për të përmirësuar infrastrukturën publike, siç janë rrugët, shkollat, objektet shëndetësore etj., po shihen shumë pak në horizont. Qytetarët kanë pritur për vite me radhë për përmirësime konkrete në infrastrukturë, ndërsa prioritetet e institucioneve vazhdojnë të orientohen drejt pajisjeve luksoze për zyrtarët.

Ky vendim ngre pyetjen e madhe: A po investon vërtet shteti në të mirën e qytetarëve apo në komoditetin e zyrtarëve të tij?

Viteve të fundit, AQP ka lidhur marrëveshje milionëshe me kompani të ndryshme edhe për marrjen me qira të veturave për institucionet publike. /Demokracia.com/

Të ngjashme