Lajme
Shteti dorëzohet | Burri i presidentes e interpreton vetë ligjin, MPJ hesht për mandatin e diplomatit Sadriu
Demokracia
11:49 | 01 Shtator 2023

Share:

Përveç se mban një pozitë që s’e ka kush për nga emërtimi – Ministër në Mision Diplomatik – Prindon Sadriu vazhdon që edhe pas një muaj e gjysmë nga skadimi i mandatit të rregullt ta ushtrojë ende atë. Ministria e Punëve të Jashtme që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Nacionales se a i është vazhduar mandati zotit Sadriu, dhe nëse po mbi çfarë baze. Por, më kot. Përgjigje s’kemi marrë.

Prindon Sadriu është emëruar në këtë pozitë me emërtim tejet singullar – Ministër në Misionin Diplomatik – më 15 korrik 2019, e që sipas Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës kohëzgjatja e rregullt e shërbimit është vetëm 4 vite.

“Kohëzgjatja në misionet diplomatike: Përfaqësuesit diplomatikë qëndrojnë në shërbim në të njëjtin mision diplomatik për një periudhe katër (4) vjeçare, ose ndryshe siç kërkohet për të përmbushur nevojat e Ministrisë dhe në diskrecion të Ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në ligj.

Megjithatë, siç kemi raportuar ditë më parë, zoti Sadriu e mohon qysh në rend të parë se i ka skaduar mandati, duke dhënë një interpretim krejt ndryshe mbi atë se si merret dhe si fillon mandati, siç pretendon ai, “me njoftimin dhe akreditimin tim në Ministrinë e Punëve të Jashtëm të shtetit pritës”.

Nacionalja ia pati rikujtuar zotit Sadriu se “ju vetë e keni të deklaruar në AKK atë datë”, por ai edhe këtu thotë se “ka dallim mes emërimit në një pozitë dhe fillimit të një mandati”.

“Ajo që keni dërguar ju nga AKK tregon për datën e nxjerrjes së Vendimit për dërgim jashtë”, na thotë Prindon Sadriu.

Nacionale ka biseduar me një ish-zyrtar të larë në MPJ që shprehet që assesi fillimi i mandatit s’ka të bëjë me akreditimin nga shteti pritës.

“Mandati vlen prej kur është marrë vendimi i MPJ-së së Kosovës…mandati llogaritet ne datën e vendimit të dërgimit nga ministri/ja”, na thotë një ish-zyrtar i lartë i kësaj ministrie, që s’deshi të citohej me emër. Ndërkaq vendimi për i MPJ-së për emërim të zotit Sadriu është 15.07.2019, e që i ka tejkaluar katër vite të rregullta.

“…shteti dërgon notën verbale për dërgim të X diplomatit ku njofton se diplomati do të jetë i atashuar në X ambasadën dhe pret atë vendim në akreditim”.

Ndërkaq MPJ nuk tregon nëse i ka vazhduar zotit Sadriu mandatit, dhe mbi çfarë baze. Nacionalja që një javë i ka dërguar këto pyetje, por se përgjigje s’ka marrë.

Por, bashkëbisedues yni, tregon se si dhe pse do të (mund të) bëhej kjo, përkatësisht vazhdimi i mandatit.

“Nëse MPJ vlerëson se X diplomati duhet me vazhdu qëndrimin edhe pak – sepse s’mund të zëvendësohet, ose sepse mund të ketë qenë i përfshirë në ndonjë proces që s’mund të delegohet (etj.)…ka arsye shumë arsye përse do të mund t’i vazhdohej mandati përtej 4 vjeçar – por, jo të tejkalohen 2,3,4 muaj”, na thotë ish-zyrtari.

Nacionalja ka biseduar edhe me ish-ambasadorin kosovar në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, i cili thotë se assesi “nuk qëndron intepretimi i zotit Sadriu” dhe se fillimi i mandatit llogaritet prej kur ndodh emërimi nga shteti i Kosovës.

“Jo kur akreditohesh nga shteti pritës”, na thotë me bidnje të plotë zoti Dedaj, “por, llogaritet kur të emëron shteti i Kosovës”.

Edhe për kohën sa ka shërbyer si ambasador në Shkup, Dedaj na siguron se kështu ka qenë praktika – mbushen katër vite që nga emërimi, skadon mandati.

“Jo nuk qëndron interpretimi i tij. Sepse mandati të jepet p.sh në atë moment kur dekretohesh nga shteti i Kosovës”.

“Ajo (fillimi i mandatit) s’ka lidhje me shtetin e Maqedonisë së Veriut. Sepse shteti të ka dekretu ambasador me datën kaq, dhe ti je prej asaj date e deri kur të mbushen katër vjet ti je ambasador, ose këshilltar, e ministër, që ai është i vetmi në botë prej shqiptarëve që ka pasë këtë gradë ministër, që zakonisht nuk ka nëpër konsulata e ambasada e misione diplomatike, i vetmi është ai që e ka”.

Dedaj s’e ka asnjë dyshim se “ky është rregulli” ndonëse është skeptik se ky rregull përfillet, ngase beson se “tash këta munden me ba gjithçka”

“Kur të emërohet ashtu është me rregull, tash këta munden me ba gjithëçfarë gjërash. Kur të plotësohen katër vjet ose ta vazhdojnë me vendim ose kthehesh”, përfundoi ai.

Të ngjashme