Lajme
Shteti dështoi për ta mbrojtur 35-vjeçaren, Kurti fajëson shoqërinë që është familjarizuar me dhunuesit
Demokracia
11:33 | 01 Dhjetor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë edhe një reagim pas rastit tragjik të vrasjes së një gruaje shtatzënë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK të mërkurën. Kësaj radhe Kurti ka fajësuar shoqërinë, që sipas tij, janë familjarizuar me dhunuesit. 

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se dhuna në familjet kosovare është më e përhapur se sa e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh.

Kurti ka shkruar se “shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjell familjarizimin me dhunuesit në shoqëri”

Për vdekjen e saj në një institucion shtetëror, Kurti u arsyetua se “Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje”.

Kurti shtoi se qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan.

Postimi i plotë:

Marrëveshja xhentëllmene me dhunuesit familjarë

Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.

Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e di dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj. Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjellë familjarizimin me dhunuesit në shoqëri.

Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private.

Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror – gruaja shërbëtore”. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vjen nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan.

Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme