Lajme
Shtetet evropiane me transport publik falas
Demokracia
14:04 | 06 Qershor 2022

Share:

Me qëllim të uljes së përdorimit të karburanteve dhe rritjes së përdorimit të trenit, autobusit dhe tramvajit, shtetet evropiane kanë bërë ndryshime të mëdha në sektorin e transportit.

Gjermania zbriti me të madhe pagesën mujore të transportit, duke i lënë njerëzit në Gjermani të përdorin transportin publik për 9 euro për muajin qershor, korrik dhe gusht. Ata shpresojnë se me këtë, gjermanët do të kursejnë para dhe do të inkurajohen të përdorin transportin publik më shumë se makinat, raporton DW, përcjell Demokracia.com.

Luksemburgu ishte shteti i parë në botë që ofroi transport publik falas që nga 1 marsi. Kjo përfshin edhe udhëtarët ndërkombëtarë dhe turistët gjithashtu, përderisa 45% e punëtorëve janë nga shtetet fqinje.

Malta është njëra nga shtetet që dëshiron të bëjë transportin publik falas që nga 1 tetori. Ajo e paralajmëroi këtë hap që nga tetori i vitit 2021. Qëllimi mbetet i njëjtë edhe për Maltën, përdorim i paktë i makinave.

Në disa shtete si Belgjika, ky hap ka filluar të zbatohet në disa qytete ose komuna. Qyteti i Hasselt në Belgjikë kishte transport publik falas që nga viti 1997, por ndryshoi vendim në vitin 2013. Që nga ai vit, banorët e Hasselt-it blejnë përsëri bileta të transportit publik, transmeton Demokracia.com.

Kryeqyteti i Estonisë, Talini, që nga viti 2013 (ndryshe nga Hasselt) ka bërë transportin publik falas për të gjithë banorët e regjistruar. Edhe pjesë të tjera të Estonisë kanë ndjekur këtë rrugë dhe e kanë bërë transportin publik falas.

Në Francë, qyteti i Dunkirk ka transport publik falas për banorët e tij që nga viti 2018. Ata thonë se kjo ka ndikuar që të ketë më pak lëvizje të makinave në qytet.

Disa ishuj danezë përkohësisht bënë transportin publik falas për arsye ekonomike. Në verën e vitit 2020 dhe 2021, trageti ishte falas për udhëtarët që ishin pa makina. Gjithsesi, tragetët nuk janë falas tani në vitin 2022, por uljet për biletat në transportin publik vazhdojnë. /Demokracia.com/

Të ngjashme