Lajme
Shtëpia e Bardhë: Një sulm nga Irani është kërcënim real
Demokracia
23:37 | 12 Prill 2024

Share:

“Një goditje nga Irani ndaj Izraelit është një kërcënim real dhe i besueshëm”, thuhet në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa frika për një sulm të afërt nga Teherani rritet.

Tensionet janë të larta lidhur me mundësinë që Irani të hakmerret për një sulm ajror që vrau komandantë të lartë iranianë gati dy javë më parë.

Zyrtarët amerikanë thane për CBS News, partneri amerikan i BBC-së, se një sulm i madh ndaj Izraelit mund të ndodhte së shpejti.

Izraeli ka thënë se është i gatshëm “në mbrojtje dhe ofensivë”.

“Unë nuk mund të flas për madhësinë, shkallën, shtrirjen e asaj se si mund të duket ai sulm,” tha të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby.

Por ai shtoi se kërcënimi iranian ishte “i zbatueshëm”, duke thënë se Uashingtoni “po e shikonte këtë nga shumë, shumë afër”.

Ai tha: “Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me homologët tanë izraelitë për t’u siguruar që ata të mund të mbrohen kundër atyre llojeve të sulmeve”.

Irani mbështet Hamasin, grupin e armatosur palestinez që lufton Izraelin në Gaza, si dhe grupe të ndryshme përfaqësuese në të gjithë rajonin, duke përfshirë disa – si Hezbollahu në Liban – që shpesh kryejnë sulme kundër izraelitëve./ CNA

Të ngjashme