Lajme
Shtensionimi| A ndikuan përgjimet Kusari-Simiq në zbythjen e Kurtit nga veriut?
Demokracia
23:15 | 14 Korrik 2023

Share:

Javën që lëm pas e kanë shënuar dy ngjarje të mëdha politike në vend. E para përgjimet e publikuara nga gazeta Nacionale, ku Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, flet me Slavko Simiqin, ish-deputet i Listës Serbe. Dhe e dyta, arritja e pajtimit mes zv.kryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit special të BE-së, Miroslav Lajçak për depërshkallëzimin e situatës në veri.

Këto dy ngjarje të ndryshme duket se ndërlidhen mes veti, pasi njohës të çështjeve politike besojnë se përgjimi i Kusari-Simiq ishte shkaku i dakordimit mes qeverisë së Kosovës dhe BE-së. Çfarë ndodhi?

Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, njoftoi se është pajtuar që të zvogëlojë praninë e policisë në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Pajtimi është arritur gjatë një takimi në Bratisllavë të Sllovakisë, të hënën (ditën kur nisën të publikoheshin përgjimet mes Kusari-Lilës dhe Slavko Simiqit), ndërmjet zv.kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.” – theksohet në njoftimin e Qeverisë.

Zbythja

Analisti, Fitim Salihu, pajtimin e Qeverisë Kurti për ta depërshkallëzuar situatën në veri e lidhë kryekëput me përgjimet e publikuara nga gazeta Nacionale, mes Mimoza Kusari – Lilës dhe Slavko Simiqit.

Salihu thotë se tërheqja e Qeverisë nga veriu ndodhi në ditën që dolën incizimet.

“Pse ndodhi zbythja e qeverisë nga veriu në Bratisllavë sapo dolën incizimet e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes duke u koordinuar me kryekriminelin Radojçiq? Pse Simiqi paralajmëron se ka incizime që “do t’ia thyenin kokën kryeministrit Kurti” dhe shefja e GP të VV-së nuk e mohon atë gjatë bisedës së incizuar?”, pyet Salihu.

Tutje, ai pyet se pse po e mbron VV-ja Kusari-Lilën për bisedën me Milan Radojiçiqin, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i sanksionuar nga ShBA-ja.

“A paska ndonjë incizim të ri me të cilin Srpska-Lista dhe kryekrimineli Radojçiq po e shantazhojnë kryeministrin Albin Kurti? Pse Prokuroria hesht kur një zyrtare e lartë e pushtetit ka kontakte me një person në kërkim nga Policia e Kosovës dhe që është në listën e zezë të ShBA-së?Pse pushteti është koordinuar me shefin e organizatës që vetë Qeveria e ka shpallur si organizatë terroriste?Pse Albin Kurti dhe Vetëvendosja po e mbrojnë shefen e GP të VV-së që ka kontaktuar me kryekriminelin Radojçiq?A ekziston frika se nëse e shkarkojnë, ajo do të tregojë se si kontaktet me kryekriminelin Radojçiq i ka zhvilluar me urdhërin e Albin Kurtit?” – pyet ai.

Njësoj mendon edhe gazetari i njohur nga Tirana, Mero Baze.

Baze në një opinion për gazetën Tema, ka shkruar se kryeministri Kurti u dorëzua nga beteja e tij në veri, kur iu publikuan përgjimet shefes së Grupit parlamentar të partisë së tij.

“Albin Kurti më në fund u dorëzua përballë sanksioneve të Bashkimit Evropian. Edhe pse në fillim tha “shpresoj të mos zgjasin shumë”, duke i cilësuar ato si të padrejta, ndërsa kritikat e sekretarit Blinken si naive, ai pranoi sot zyrtarisht se ka pranuar të tërheqë policinë nga Veriu i Kosovës dhe të mbajë zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe. Asgjë e re nuk ka ndodhur në harkun e këtyre dy javëve për t’u “dorëzuar”, përveç publikimit të audio përgjimeve të shefes së grupit parlamentar të Albin Kurtit, Mimoza Kusari, me liderin famëkeq të serbëve, Milan Radojçiq”, ka shkruar Baze.

“Kryeministri populist, i cili bënte sikur luftonte për të mbrojtur Veriun e Kosovës, në të vërtetë rezulton i koordinuar me qarqet ekstremiste serbe për këtë situatë dhe në momentin që u bën publike pazaret e tij, u dorëzua”, ka shkruar tutje ai.

Të ngjashme