Diaspora
Shtatë shqiptarë gjykohen për tentim vrasjeje me porosi të një shqiptari në Zvicër
Demokracia
19:36 | 18 Gusht 2021

Share:

Shtatë të akuzuarit vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Prokurori publik, përveç dënimit me burg ka kërkuar për ta edhe dëbim 15-vjeçar nga vendi

Në hapjen e procesit gjyqësor për një tentim vrasjeje të kryer në vitin 2018, Gjykata Kantonele e Glarusit ka marrë në pyetje të mërkurën të akuzuarit.

Pothuajse të gjithë ata shfrytëzuan të drejtën e tyre për të heshtur, shkruan sda.ch.

Prokurori ka kërkuar për ta dënime nga 5 deri në 15 vjet.

Një nga sulmuesit e dyshuar megjithatë dha një përgjigje: Nuk është e vërtetë që ai dhe kolegu i tij kishin urdhër të vritej dikush. Fjala kishte qenë vetëm për ta lënduar atë.

Rasti ka të bëjë me një sulm ndaj një perosni 44 vjeçar në Bilten (Glarus) në fillim të tetorit të vitit 2018. Dy të rinj me atë rast e kanë rrahur atë  aq brutalisht me shkopinj sa që ai kishte mbijetuar vetëm falë fatit dhe ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore.

Dy të akuzuar të tjerë ngarkohen se kanë dhënë urdhër për të aktin e kryer. Ata akuzohen se u kanë paguar banditëve një shumë prej 10.000 frangash.

Sipas aktakuzës, fjala ishte për hakmarrje pas një sulmi brutal të bërë ndaj urdhërdhënësit të tashëm, një vit e gjysmë më parë. Viktima e tetorit të vitit 2018 thuhet se ka qenë sulmuesi kryesor në rastin e parë, atë të vitit 2017.

Ai dhe dy kolegë të tij përgjigjen po ashtu para Gjykatës Kantonale të Glarusit për këtë veprim të kryer në shtatorin e vitit 2017.

Katër të dyshuarit kryesorë në gjyqin aktual, dy urdhërdhënës dhe dy ekzekutues, janë të gjithë në burg paraprak (hetues). Përveç tyre, janë edhe dy persona që akuzohen për bashkëpunim, ndërsa një person i shtatë akuzohet për një vepër dytësore.

Për katër të dyshuarit kryesorë, prokurori publik ka kërkuar burgim nga 12.5 deri në 15 vjet. Sipas tij, sulmuesit duhen shpallur fajtorë për tentim vrasje dhe sulm. Ndërsa, urdhërdhënësit e dyshuar duhet të shpallen fajtorë për nxitje të tentimit të vrasjes dhe vepra të tjera si tregtia me drogë dhe mashtrimi.

Për dy nga të akuzuarit, prokurori ka kërkuar shtatë respektivisht nëntë vjet burg për bashkëpunim në tentimin e vrasjes dhe për krime të tjera. I dyshuari i shtatë, sipas prokurorit duhet të dënohet me pesë vjet burg për mashtrim masiv.

Shtatë të akuzuarit vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Prokurori publik ka kërkuar për ta edhe dëbim 15-vjeçar nga vendi me regjistrimin e të gjithë atyre në sistemin e informacionit Shengen. Në këtë mënyrë atyre do tu ndalohej hyrja në të gjitha vendet e Shengenit.

Për shkak të mungesës së hapësirës dhe rregullave të koronës, seanca tre-ditore nuk u zhvillua në gjykatën në Glarus, por në sallën e madhe të famullisë në Ennenda GL fqinje. Vetëm katër të dyshuarit kryesorë janë paraqitur në gjykatë, përcjell albinfo.ch. Tre të tjerët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre.

Të ngjashme