Lajme
ShSKUK reagon pas kërkesës së deputetëve për shkarkimin e Bordit
Demokracia
17:01 | 02 Mars 2022

Share:

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), gjatë ditës së mërkurë ka reaguar pas kërkesës së deputetëve të grupit parlamentar të Komisionit për Shëndetësi, për shkarkimin e Bordit Drejtues.

Deputetët e pozitës dhe opozitës të grupit parlamentar në Komisioni për Shëndetësi, i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shkarkojë Bordin Drejtues të ShSKUK-së, me arsyetimin se gjatë vitit 2021 janë kryer rreth 20 mijë operacione më pak sesa në vitin 2019.

ShSKUK përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, kanë treguar edhe për numrin e operacioneve të kryera gjatë vitit 2021.

“ShSKUK informon opinionin publik se në nivel të SHSKUK gjatë vitit 2021 janë realizuar gjithsejtë 33, 666 operacione, që përbën  rreth 7,000 operacione më pak se në vitin 2019 ( në kohën para pandemisë), ndërsa krahasuar me vitin 2020 janë rreth 7,500 operacione më shumë në vitin 2021”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se “Kosova gjatë vitit 2021 është përballur me 2 valët më të ashpra të pandemisë COVID-19; kështu, krahas menaxhimit me sukses të pandemisë COVID-19, ShSKUK ka arritur që gjatë vitit 2021 të realizoj numër të konsiderueshëm të intervenimeve kirurgjikale. Po ashtu, kryerja e operacioneve të natyrës urgjente, emergjente dhe rastet me  sëmundje të rënda (tumorët) nuk është ndërprerë në asnjë fazë të pandemisë”.

Të ngjashme