Sport
Shqiptari ndihmon tenistin e ri serb, e dërgon në Zvicër për stërvitje
Demokracia
15:28 | 29 Dhjetor 2021

Share:

Një tenist i ri nga Kosova nga komuniteti serb, Filip Paviq (15), do të udhëtojë drejt Zvicrës në janar, në kërkim të një perspektive më të mirë.

Kjo iu mundësua nga një shqiptar nga Gjilani, i cili mësoi se Filipi nuk kishte kushte për stërvitje adekuate.

Në tre vjetët e fundit, Filipi nuk ka as trajner, por kjo nuk e ka ndalur që të fitojë mbi 30 turne dhe të zërë vendin e katërt të tenistëve më të mirë në kategorinë nën 16 vjeç.

“Fillimisht më pyeti nëse dua të pranoj të shkoj me të në Zvicër. Më ka thënë se ai ishte sponsori, që do të sponsorizojë gjithçka, edhe pajisjet edhe gjithçka. Unë pranova”, thotë sportisti.

Shqiptari nga Gjilani e ndihmoi fillimisht Filipin dhe babain e tij që të merrnin vizat dhe të dy ata do të udhëtojnë drejt Zvicrës nga mesi i muajit janar. Prindërit e sportistit e quajnë një dritë në fund të tunelit dhe nuk dyshojnë aspak në qëllimet e mira të këtij donator.

“Siç na ka thënë ai do ta ndihmojë atë, do t’ia paguaj akademinë, arsimimin, do të thotë gjithçka”, thotë babai i 15-vjeçarit për REL.

Prindërit e tij hoqën dorë nga gjithçka për t’i mundësuar atij stërvitjen dhe progresin në këtë sport. Ata kanë gjetur vetëm mbështetje të vogla financiare nga disa shoqata, por jo nga qeveria e Kosovës apo Serbisë. /Demokracia.com

Të ngjashme