Lajme
Shqiptari i dyshuar për krime lufte në Izbicë, mbrojtja propozon 10 dëshmitarë
Demokracia
15:10 | 07 Korrik 2022

Share:

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbrojtësi i të akuzuarit për krime lufte kundër popullsisë civile në Izbicë, Muhamet Alidemaj, avokati  Millosh Deleviq kundërshtoi aktakuzën, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale sipas aktakuzës.

Alidemaj ngarkohet se gjatë 1999-ës së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit, ku të njëjtit i zhvarrosen trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Gjatë seancës së të enjtes, gjyqtari Vesel Ismajli njoftoi se mbrojtësi i kaluar i të akuzuarit Alidemaj, avokati Vasilije Arsic brenda afatit ligjor ka paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave,  po ashtu ndaj kësaj kërkese ka dhënë përgjigje prokurori special Ilir Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi tani i angazhuar i të akuzuarit Alidemaj, avokati Millosh Deleviq deklaroi se mbetet në tërësi pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale sipas aktakuzës, si dhe për veprimet që ngarkohet i akuzuari nuk paraqesin vepër penale.

Po ashtu, avokati Deleviq tha se mbetet pranë kundërshtimeve në prova, duke arsyetuar se nuk janë të mbledhura ligjërisht.

Ai potencoi se kolegu i tij, i cili ka qenë mbrojtësi i të akuzuarit Aledemaj, avokati Arsic e ka sqaruar bazën e kërkesës, e të cilën nuk e elaboroi.

Pas kësaj, avokati Deleviq  njoftoi që do të propozojnë më shumë se dhjetë dëshmitarë, të cilët do të dëshmojnë se i akuzuari në kohën e kryerjes së veprës nuk ka qenë në Kosovë, por ka jetuar dhe punuar në Jakovë, Serbi.

Ai shtoi se përveç dëshmitarëve, është provat materiale e vërtetojnë një gjë tillë.

Deklarimin e avokatit Deleviq, e mbështeti i akuzuari Alidemaj.

Në anën tjetër, prokurori special Ilir Morina deklaroi se përgjigjen në kundërshtim që ka ofruar ish- mbrojtësi i të akuzuarit Alidemaj, avokati Arsic e ka dorëzuar me shkrim në gjykatë.

Ai tha se kërkesa e mbrojtjes është bërë vetëm për të plotësuar veprimin procedural si mbrojtës i të akuzuarit, por nuk ka ofruar asnjë provë apo dëshmi konkrete për t’i mbështetur pretendimet nga kërkesa.

Lidhur me pretendimet e mbrojtjes se marrja e deklaratave është bërë në kundërshtim me rregullat nga kapitulli XVI i KPP-së, përkatësisht se nuk është ftuar i akuzuari dhe mbrojtësi gjatë marrjes së deklaratave të dëshmitarëve, prokurori Morina tha se nuk qëndrojnë.

Ai tha se edhe procesverbalet e marrjes së deklaratave të disa dëshmitarëve në këtë rast, dëshmojnë se prezent kanë qenë i akuzuari dhe mbrojtësi.

Andaj, i njëjti i propozoi gjykatës që të refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga mbrojtja, si dhe propozoi që të caktohet shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale konform dispozitave ligjore.

Tutje, prokurori Morina lidhur me provat të cilat mbrojtja planifikon t’i  paraqes për administrim, kërkoi t’i dorëzohen në afat prej 10 ditësh nga përfundimi i këtij shqyrtimi.

Pas kësaj, gjyqtari Vesel Ismajli mbylli seancën e shqyrtimit të dytë dhe njoftoi se lidhur me kërkesën e avokatit mbrojtës për hudhje të aktakuzës, brenda afatit ligjor do të marrë vendim jashtë seance.

Ndryshe, në fillim të seancës mbrojtësi i të akuzuarit Alidemaj, avokati Deleviq deklaroi se i ka pranuar shkresat nga kolegu i tij, i cili e ka mbrojtur më parë të akuzuarin në këtë çështje penale, avokati Arsic.

Mirëpo, i njëjti ngriti si çështje se shkresat e lëndës janë në gjuhën shqipe, duke kërkuar që të përkthehen në gjuhën serbe, siç tha ai me qëllim që t’i mundësohet t’i ofrojnë një mbrojtje adekuate të mbrojturit të tij.

Për këtë, prokurori special Morina deklaroi se e kanë përmbushur kushtin ligjor në raport me të akuzuarin, me arsyetimin se i akuzuari në të gjitha deklarata dhe procesverbalet që nga fillimi i procedurës ka thënë që është shqiptar dhe flet gjuhën shqipe.

Avokati Deleviq tha se paraqet kërkesë që të përkthehen shkresat e lëndës dhe e ka lutur gjykatën që të vendos për të njëjtën me aktvendim ndaj të cilit kanë të drejtë ankese, si dhe kërkoi që ky shqyrtim të shtyhet.

Prokurori Morina e kundërshtoi shtyrjen e seancës pasi që janë  përmbushur kushtet ligjore për mbajtjen e saj, duke shtuar se kërkesa e mbrojtjes dhe e të pandehurit ekziston dhe është në dy gjuhë, po ashtu edhe përgjigja.

Andaj, i njëjti kërkoi që seanca të vazhdojë edhe për faktin se i akuzuari ndodhet në paraburgim dhe në bazë të KPP-së është çështje e natyrës urgjente.

Gjykatësi Ismajli lidhur me propozimin për përkthimin e shkresave të lëndës, tha se gjykata do të vendos me aktvendim te veçantë jashtë seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Gjykatësi mori aktvendim që shqyrtimi i dytë të vazhdojë me arsyetimin se mbrojtësi prezent, avokati Deleviq kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruar nga ish-avokati Arsic dhe përgjigjen e prokurorisë speciale i ka pranuar me kohë në gjuhën serbe, po ashtu në gjuhën serbe e ka pranuar edhe aktakuzën e ngritur ndaj Muhamet Alidemajt.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

Sipas aktakuzës, Alidemaj më 28 mars 1999 në fshati Izbicë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e popullsisë civile, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit në vendin e quajtur “Malet e Stejevcit”, në kodrën e rrugës Kërrninë – Belicë, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe në të cilën bënin pjesë edhe Ivo Obradovic, Stanoje Shkerkiq, Sasha Vidiq, Milenko Miletiç, Sava Shkerkiq, Ranko Shkerkiq, Bogoljub Miletiq, Ivica Vidiq, Bane Shkerkiq si dhe persona të tjerë ende të pa identifikuar, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkojnë tek vendi – livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile e fshatit Izbicë dhe fshatrave të tjera përreth, me dhunë i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12 vjeçare dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Ndërsa, burrat e mbetur thuhet se i ndajnë në tri grupe, duke i dërguar secilin grup në një vend të caktuar dhe i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, emrat e të cilëve janë paraqitur në shtojcën 1 të kësaj aktakuze, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit, emrat e të cilëve gjenden në shtojcën 2 të kësaj aktakuze, ashtu që trupat e cilëve të vrarë pas 2-3 dite ishin varrosur nga fshatarët.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se përafërsisht pas 2 muajve të vitit 1999, i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, u kthyen sërish në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur, ndërsa pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Më tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor, cenimin e integritetit trupor dhe të shëndetit, zhvendosje, grabitje dhe shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të fshatit Izbicë dhe fshatrave përreth, ashtu që fillimisht i detyruan me dhunë civilët shqiptarë që të largoheshin nga shtëpitë e tyre duke i kërcënuar ata me armë dhe i grumbulluan në një livadh në mes të fshatit.

Me ç‘rast, i akuzuari Alidemaj thuhet se së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, e thirrën të dëmtuarën Xhemile Osmanaj që të dalë nga turma e njerëzve ku ishin grumbulluar, fillimisht nën kërcënimin e armës ia morën 1 mijë marka gjermane, pastaj nën tytën e armës në shpinë, e detyruan që t’iu prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Më pastaj, aktakuza thotë se i pandehuri Muhamet Alidemaj e goditi me shuplakë në fytyrë tek dera e shtëpisë dhe e urdhëruan që të shkojë tek turma e civilëve të grumbulluar në livadh, kurse civilëve të tjerë iu konfiskuan të gjitha sendet e tyre personale me vlerë, i rrahën rëndë disa nga meshkujt, i detyruan me dhunë gratë dhe fëmijët të largoheshin në drejtim të Klinës, duke iu thënë të shkojnë në Shqipëri, si dhe nën kërcënimin e armëve ua grabitën çdo gjë me vlerë monetare dhe në fund i shkatërruan dhe i dogjën shtëpitë e fshatit Izbicë.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme