Lajme
Shqiptarët po përdorin më shumë kakao – Importi i këtij produkti në mars, shumë pranë rekordit historik
Demokracia
21:44 | 24 Prill 2024

Share:

Nga një analizë e detajuar e të dhënave të tregtisë së jashtme rezulton se muaji mars i këtij viti ka prekur shifrën e dytë më të lartë të importit të kakaos në harkun kohor të 19-të viteve. Shqipëria importoi në mars rreth 403 milionë lekë kakao, duke shënuar një rritje me 35%.

Shifra e muajit mars është shifra e dytë më e lartë, pas muajit dhjetor të vitit 2019-të, i cili ka regjistruar rreth 434 milionë lekë importe të kakaos në vendin tonë. Pra, dhjetori i vitit 2019-të dhe muaji mars i këtij viti janë dy muajt që prekin rekord që nga janari i vitit 2005, viti i fundit për të cilin INSTAT disponon të dhëna.

Por çfarë ka ndodhur me importin e kakaos në Shqipëri? Çmimi i kakaos po rritet me shpejtësi në vende të ndryshme të botës, duke arritur në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, për shkak të motit të thatë që ndikon në korrjet e kakaos në Afrikën Perëndimore. Kjo ndodhi pasi kushtet atmosferike këtë vit ishin më të ashpra se zakonisht në vendet kryesore prodhuese të kakaos, si Bregu i Fildishtë dhe Gana. Çmimet e kakaos tani janë rreth 40% më të shtrenjta se sa ishin në fillim të këtij viti. Kjo mund të nënkuptojë se së shpejti konsumatorët mund të përballen me çmime më të larta për ëmbëlsirat e tyre.

Ky ndryshim i çmimit të kakaos në tregje mund të ketë ndikuar edhe vlerën e lartë të importeve për këtë produkt në vendin tonë, megjithatë të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e kakaos nuk janë rritur vetëm në vlerë, por edhe në volum.

Por cilët janë partnerët kryesorë nga të cilët në marrim produktin e kakaos? Sipas të dhënave, për muajin mars të këtij viti, peshën më të madhe e mban Gjermania me 25%, pasuar nga Polonia dhe Italia.

Nga të dhënat historike të importit për këtë kapitull, shohim se vlerat më të larta regjistrohen kryesisht në muajt e fundit të vitit. Kjo tendencë lidhet me festat e fundvitit dhe përdorimin e kakaos për ëmbëlsira të ndryshme.

Të ngjashme
Lajme • 04 Maj 2024