Lajme
Shqiptarët me sytë nga telefonat, thuajse të gjithë kanë akses në internet përmes tij
Demokracia
17:07 | 17 Dhjetor 2023

Share:

Sipas vlerësimeve të fundit të zhvilluara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, pjesa më dërrmuese e familjeve shqiptare kanë akses të rregullt në internet dhe shumica prej tyre, e realizojnë këtë proces përmes telefonave.

Kështu, bëhet me dije nga Instat se rezultatet e fundit të anketës së përdorimit të teknologjisë së informacionit, nxjerrin në pah se për grupmoshën 16-74 vjeç, përdorimi i internetit shtrihet në 83.1% të popullatës, prej të cilëve 96.2% e përdorin disa herë gjatë ditës.

Nga ana tjetër, 99.8% e individëve kanë përdorur aparate celularë për të hyrë një internet, gjë që përbën edhe përdorimin bazik të teknologjisë së informacionit.

Shifrat tkurren tej mase kur bëhet fjalë për përdorimin e laptopëve, tabletëve apo kompjuterëve, përmes të cilëve jo më shumë se 25% e popullatës i shfrytëzon.

Përqindja e familjeve shqiptare që kanë akses në internet është 96,7 %, krahasuar me96,5 % të një viti më parë. 90,4 % ose 660.136 familje kanë akses në internet me rrjet fiks broadband (rrjet optike ose kabllor, ADSL, etj.), tregues i cili ka shënuar rritje prej rreth 0,1 pikë përqindje. Përqindja e familjeve me akses në internet nëpërmjet lidhjes “mobile broadband” (3G/4G, tablet,etj.), është 99,3 %, krahasuar me 99,2 % në vitin 2022.

Një rritje ka parë ndërkaq edhe përdorimi i platformës elektronike qeveritare për dokumentacionet, ku është parë më së shumti shtim i shkarkimit apo printimit të formularëve zyrtarë, por edhe marrja e informacionit nga faqet dhe aplikacionet në internet.

Sa i takon blerjeve online, ato vijojnë të jenë në rritje, ku më së shumti sektori i veshjeve , është ai ku përdoret teknologjia në shitje.

Më pas ndjekin shërbimet e dërgimit në shtëpi, si restorantet apo fast food-et, produktet e kozmetikës dhe ushqimet, apo produktet shtëpiake.

Aftësitë teknologjike bazike kanë shënuar gjithashtu rritje në popullatë, por ende më pak se gjysma e popullsisë di të transferojë materiale, 38% të instalojë software dhe aplikacione dhe vetëm 28% të përdorë programet si Word, apo programe të krijimit të prezantimeve.

Të ngjashme