Lajme
Shqiptarët kontrabandistë i vinin në gjumë fëmijët gjatë kalimeve ilegale në Evropë
Demokracia
18:53 | 29 Qershor 2023

Share:

Trafikantët shqiptarë, pjesë e një grupi ndërkombëtar të trafikantëve, u jepnin pilula fëmijëve migrantë për të mos bërë zhurmë gjatë kalimit ilegal të kufirit Kroaci-Slloveni, ka njoftuar Policia e Italisë të enjten.

Policia e Triestes në Itali ka identifikuar 26 të dyshuar në këtë grup kontrabandistësh, pjesë e një zinxhiri më të madh, të gjithë shtetas të Kosovës e Shqipërisë, shumica banorë të Italisë. Shtatë prej tyre janë arrestuar, pesë janë duke u kërkuar nën dyshimin për vepra kriminale, për migrim ilegal e 13 të tjerë po hetohen, raporton AP.

Hetimi pati nisur më 2021, para se Kroacia të hiqte kontrollet kufitare në fillim të këtij viti, me rastin e bashkimit të zonës “Schengen”.

Sipas policisë italiane, migrantët silleshin me vetura deri në kufirin Kroaci-Slloveni, më pas ecnin gjatë natës dhe merreshin me vetura në anën tjetër. Përderisa fëmijëve u jepeshin pilula gjumi, të rriturit furnizoheshin me “shumë” pije energjike për ta bërë udhëtimin.

Në disa raste, kontrabandistët i rrihnin emigrantët që t’i detyronin të ecnin, ka thënë Policia. Migrantët paguanin mes 200 dhe 250 euro për të kaluar kufirin, pjesën kyçe të quajtur si “rruga ballkanike e kontrabandës”.

Policia ka thënë se banda prej 26 personash u shkatërrua falë ndihmës së policisë së Kroacisë dhe Sllovenisë. Shumica e migrantëve që trafikoheshin nuk e kanë pasur Italinë destinacion kryesor. Policia nuk ka treguar se cili ishte destinacioni përfundimtar i migrantëve, por ka thënë se ata kryesisht duan të ikin drejt Evropës veriore.

Të ngjashme