Lajme
Shqiptarët ende pa asnjë deputet në Kuvendin e Serbisë, kështu u votua në Preshevë e Bujanoc
Demokracia
12:40 | 04 Prill 2022

Share:

Gjatë kësaj të diele janë mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare në Serbi, ku shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përfaqësuar në dy lista për zgjedhjet parlamentare.

Në tërë Serbinë, më 3 prill, janë mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare.

Në këto zgjedhje, për përfaqësimin e tyre në parlamentin serb, shqiptarët kanë pasur dy alternativa për votim, “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës”, i udhëhequr nga Shaip Kamberi dhe “Alternativa për ndryshim – Alternativa Demokrate Shqiptare”, e udhëhequr nga Shqipërim Arifi.

Demokracia.com ka arritur të sigurojë rezultatet preliminare për Preshevë dhe Bujanoc.

Nga gjithsej 42 mijë votues sa ka Komuna e Preshevës, këto dy lista kanë arritur të marrin besimin e vetëm 3 mijë e 369 votuesve.

Sipas rezultateve të siguruara nga Demokracia.com, “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës”, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, në Preshevë ka arritur të sigurojë 2 mijë e 442 vota, kurse “Alternativa për ndryshim – Alternativa Demokrate Shqiptare”, e udhëhequr nga Shqipërim Arifi, ka arritur të sigurojë vetëm 1 mijë e 927 vota.

Edhe në Komunën e Bujanocit ka arritur të sigurojë më shumë vota Shaip Kamberi. Nga 43 mijë e 119 qytetarë me të drejtë vote, vetëm 14 mijë e 860 kanë dalë në votime dhe sipas të dhënave të siguruara nga Demokracia.com, “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës”, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, në Komunën e Bujanocit ka mbledhur 6 001 vota, kurse “Alternativa për ndryshim – Alternativa Demokrate Shqiptare”, e udhëhequr nga Shqipërim Arifi, ka mbledhur 373 vota në Bujanoc.

Sipas këtyre rezultateve preliminare, Aleksandar Vuçiq në Komunën e Bujanocit ka arritur të mbledh gjithsej 4 mijë e 441 vota.

Në Kuvendin e Serbisë, bazuar në të dhënat preliminare, shqiptarët nuk do të mund të kenë asnjë përfaqësues të tyre.

Në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të Serbisë, ka qenë vetëm Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) e Ragmi Mustafës, e cila nuk ka marrë pjesë dhe i bojkotuar këto zgjedhje. /Demokracia.com/

Të ngjashme