Lajme
“Shqiptarët e diskriminuar të Luginës s’guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi”, Kamberi e Kurti flasin për zgjedhjet në Serbi
Demokracia
19:15 | 03 Dhjetor 2023

Share:

Ish-deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me partnerët e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e kanë njoftuar për ecurinë e procesit të zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit që do të mbahen në Serbi.

“Shqiptarët e diskriminuar të Luginës nuk duhet e nuk guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi e pa përfaqësim të zëshëm. Njoftuam kryeministrin për rëndësinë e vazhdimit të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Prandaj, sipas Kamberit, është me rëndësi që në zgjedhjet e 17 dhjetorit të vazhdohet përfaqësimi i drejtë dhe se “duhet që shqiptarët e Luginës, me votë, të sigurojnë përfaqësimin parlamentar dhe të vazhdojnë betejën politike për drejtësi e barazi”.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, deri më tani, nga radhët e shqiptarëve, është paraqitur vetëm një listë zgjedhore, Koalicioni “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”.

Kamberi, i cili ka qenë deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, synon që ta marrë edhe një mandat.

Nga ana tjetër, Kurti është akuzuar, sidomos nga Kryetari i Preshevës, Shqiprim Afrifi, se po krijon përçarje tek shqiptaret që jetojnë në Serbi.

Por, mospajtimet në mes të Arifit dhe Kurtit janë krijuar pasi që i fundit i ka dhënë mbështetje kundërshtarëve politikë të Arifit në Luginë të Preshevës.

Ai e ka mbështetur Ardita Sinanin – tanimë këshilltare e tij – në kohën kur Arifi po tentonte që ta zinte vendin e saj në krye të Komunës së Preshevës.

Ndaj akuzave të Arfiti, deri më tani – asnjëherë – nuk u është përgjigjur kreu i ekzekutivit kosovar.

Të ngjashme