Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, të martën ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, për keqpërdorimin e mjeteve të Qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Sipas Arifit, 27 mijë euro janë shpërndarë nga këshilltarja e kryeministrit Kurti, Ardita Sinani.
Ai tha se Qeveria e Kosovës ka synuar ta fuqizojë një parti në Luginë, ndonëse janë pesë të tilla.
“Çka ka ndodhë është një anomali politike. Ka ndërruar qasja e Kurtit për Luginën e Preshevës. Dua t’i njoftojë qytetarët se ka ndodhur një krim i organizuar ndaj shqiptarëve të Luginës. Me paratë e Kosovës është munduar që të fuqizohet një parti nga pesë parti në Preshevë”, tha Arifi. “Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit Kurti, i ka shpërndarë 27 mijë euro. Agon Islami është anëtar i kabinetit të Shaip Kamberit dhe ka marrë 25 mijë euro veç pse ka një portal. Këtë situatë na e ka imponuar Vetëvendosja”, u shpreh Arifi. /EO