Lajme
Shqipëria vijon të jetë ndër vendet më të mira për pushime ‘low cost’…edhe në shkurt
Demokracia
18:39 | 07 Janar 2024

Share:

Shkurti zakonisht nuk është një muaj tejet i volitshëm për të shkuar me pushime.

Zakonisht, në një pjesë të vendeve ende klima nuk është ngrohur dhe lëvizjet e shkurtra ditore përbëjnë pjesën më të madhe të pushimeve për evropianët.

E tillë është situata edhe në Britaninë e Madhe, por të mos ishte se këtë vit, anglezët e kanë mundësinë e artë për të zgjatur pak më shumë shkurtin e tyre dhe për të vrojtuar nga afër trendin e ri të turizmit evropian.

Kë? Shqipërinë!

Kështu thotë edhe gazetarja e britanikes Daily Express, Esther Marshall, e cila e ka radhitur Shqipërinë në vendin “low cost” më të mirë për pushime gjatë shkurtit.

Ajo ka kryer një kombinim të disa faktorëve si fluturimet e lira, hotelet, apo edhe kostot e qëndrimit (përfshirë ushqimin) dhe Shqipërinë, nuk kishte si ta linte jashtë liste.

Falë hyrjes në tregun shqiptar të operatorit me çmime të ulëta, Ryanair, me bazë në Irlandë, udhëtimi i ishullorëve evropianë drejt Shqipërisë bëhet edhe më i volitshëm në fakt.

Ja çfarë shkruan Marshall për Shqipërinë:

Shqipëria ishte destinacioni më i lirë për të fluturuar në shkurt nga Britania e Madhe, me fluturime direkte të disponueshme për vetëm 21 paundë nga Londra dhe nën 40 paundë nga Edinburgu dhe Manchesteri.

Është një kohë e shkëlqyeshme për të vizituar vendin e nënvlerësuar të pushimeve, pasi sapo është emëruar si një nga destinacionet më të mira të 2024-ës nga ABTA. Nga plazhet tek jeta e natës, Shqipëria po bëhet me shpejtësi një nga destinacionet më të përballueshme të Evropës.

Shqipëria ka vetëm një aeroport, kështu që këto fluturime janë drejt kryeqytetit Tiranë. Zbuloni gjërat më të mira për të bërë atje në udhëzuesin tonë të udhëtimit Express.co.uk ose shikoni se çfarë tjetër ka për të eksploruar në Shqipëri.

Unë vizitova Shqipërinë në korrik dhe pagova vetëm 20 paundë për natë për akomodim, pavarësisht se ishte sezoni i pikut. Gjeni oferta të ngjashme kudo, me çmime që ka të ngjarë të jenë veçanërisht të ulëta në shkurt.

Cilat janë vendet e tjera të rekomanduara?

Po ashtu, Daily Express e llogarit edhe Poloninë si një vend të përshtatshëm për pushime në shkurt. Kjo edhe falë linjave tejet të lira të udhëtimit drejt saj.

Bullgaria, nuk mbetet pas, duke marrë parasysh edhe faktin se shumë shpejt do të futet plotësisht në zonën Schengen (edhe pse kjo nuk i prek britanikët).

Fluturimet drejt Bullgarisë janë disi më të shtrenjta se drejt Shqipërisë, por jo shumë të larta krahasuar me vendet e tjera.

Vizitat nëpër kisha e xhamia, apo edhe pamjet piktoreske, i japin vendit të Evropës Lindore një avantazh në krahasim me të tjerët në rajon.

Të ngjashme