Lajme
Shqipëria mes shteteve me cilësinë më të lartë të ujit të plazheve, lumenjve e liqeneve
Demokracia
15:49 | 04 Qershor 2022

Share:

Shqipëria bën pjesë në shtetet me cilësi të lartë të ujit të plazheve, lumenjve e liqeneve sipas raportit të Agjencisë Europiane të Mjedisit(EEA), të publikuar për vitin 2021.

Raporti thekson se Shqipëria renditet krah shteteve me cilësi shumë të mirë të ujrave, me 68.1%, duke e kaluar mesataren europiane.

Sipas të dhënave të publikuara, në Shqipëri pjesa dërrmuese e plazheve dhe ujrave të lumenjve e liqeneve kanë cilësi të shkëlqyer.

23.5% e cilësisë së ujrave është e mirë, 1.7% është e mjaftueshme dhe vetëm 6.7% është cilësi e dobët.

Ujrat klasifikohen cilësorë sipas dy parametrave mikrobiologjikë të përcaktuara në Direktivën për Ujërat e plazheve, lumenjve dhe liqeneve.

Çdo ujë që identifikohet duhet të ketë një kalendar monitorimi para sezonit të verës.

Kërkesat e kalendarit të monitorimit përfshijnë një kampion parasezonal i cili duhet të merret pak përpara fillimit të çdo sezoni, nuk duhet të analizohen më pak se katër mostra dhe intervali ndërmjet datave të marrjes së mostrave nuk duhet të kalojë kurrë një muaj, shkruan Gazeta Si.

Ashtu si Shqipëria, dhe Italia dallohet për cilësi të lartë të ujit të deteve, të lumenjve dhe liqeneve. Sipas të dhënave nga EEA,nga 5524 vende italiane, 4854 karakterizohen nga cilësia e shkëlqyer e ujit.

Megjithatë, në nivel përqindjeje, Austria, Malta, Kroacia dhe Greqia tregojnë pjesën më të madhe të plazheve dhe ujrave të ëmbla me cilësi të shkëlqyer (të gjitha mbi 95 për qind).

Siç theksohet në raport, “investimet e mëdha” në impiantet dhe rrjetet e trajtimit të ujërave të zeza urbane kanë çuar në një “reduktim drastik të ndotësve organikë të çliruar nga ujërat e zeza urbane të patrajtuara ose pjesërisht të trajtuara”.

Duhet theksuar se, si në Europë në përgjithësi, ashtu edhe në Itali në veçanti, cilësia e zonave në bregdet priret të jetë më e lartë se ajo e lumenjve dhe liqeneve: 88 për qind e plazheve kanë cilësi të shkëlqyer uji.

Një nga objektivat kryesore të BE-së është të sigurojë që të gjitha vendet të jenë të një cilësie “të paktën të mjaftueshme”.

Në sezonin e vitit të shkuar, standardi minimal u arrit në 95.2 për qind të rasteve.

Nga ana tjetër, 1.5 për qind e vendeve (ose 332 në total) përjetuan cilësi “të dobët”, me problemet më të mëdha të regjistruara në Holandë (4.6 për qind), Letoni (3.6) dhe Suedi (3.5).

“Noti në ujrat me ujë të cilësisë së dobët mund të shkaktojë sëmundje”, thuhet në raport, ku rikujtohet detyrimi për mbylljen e tyre “për të gjithë sezonin në vijim”, si dhe nevoja për “marrjen e masave për uljen e ndotjes dhe eliminimin e rreziqeve shëndetësore”.

Sipas Direktivës së vitit 2006, larja duhet të ndalohet përgjithmonë kur uji është klasifikuar si i cilësisë se dobët për të paktën pesë vjet rresht ose më shumë: nga 45 raste në vitin 2021, 31 ishin në Itali (0.5 për qind e të gjitha vendeve të raportuara në vend),tetë në Francë, dy në Holandë dhe një në Republikën Çeke, Estoni, Poloni dhe Suedi.

Të ngjashme