Lajme
Shqipëria, me rritjen më të madhe të fluturimeve në Europë në gusht
Demokracia
14:32 | 09 Shtator 2022

Share:

Shqipëria është shteti i Europës që ka rikuperuar më shumë tregun e fluturimeve në krahasim me periudhën e para pandemisë.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Eurostat në publikimin për fluturimet tregtare në gusht. Fluturimet tregtare në gusht 2022 nga Shqipëria u rritën me 47.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, shumë më e lartë se i dyti në listë, që është Greqia, me një zgjerim prej 5.4 për qind, Islanda me 2.5 për qind dhe Luksemburgu me 1.8 për qind.

Ndërsa të gjitha shtetet e tjera vijojnë që të mbeten poshtë niveleve të fluturimeve të periudhës së para pandemisë.

Sipas Eurostat, Në gusht 2022, numri i fluturimeve komerciale në BE u rrit me 25 për qind krahasuar me gushtin 2021. Ndërsa ky është ende nën nivelet para pandemisë, hendeku po mbyllet ngadalë (-14 për qind krahasuar me gushtin 2019).

Në terma absolutë, numri i fluturimeve komerciale ishte 596,930 në gusht 2022, krahasuar me 478,996 në gusht 2021, 324,538 në gusht 2020 dhe 695,912 në gusht 2019.

Vetëm dy vende të BE-së shënuan rritje të fluturimeve komerciale në gusht 2022 krahasuar me gushtin 2019: Greqia (+5 për qind) dhe Luksemburgu (+2 për qind). Në të kundërt, uljet më të mëdha të fluturimeve u regjistruan në Slloveni (-42 për qind), Letoni (-39 për qind) dhe Finlandë (-31 për qind).

Për më tepër, disa aeroporte të BE-së shënuan rritje të numrit të fluturimeve komerciale krahasuar me vitin 2019. Rritjet më të mëdha në numrin e fluturimeve komerciale u regjistruan në Napoli Capodichino (+1,156, +14 për qind), Kerkira Ioannis Kapodistrias (+1,026, + 22 për qind) dhe Santorini (+978, +30 për qind). Në anën tjetër të shkallës, uljet më të mëdha në numrin e fluturimeve komerciale u regjistruan në Frankfurt Main (-10 554, -23 për qind krahasuar me gushtin 2019), Milano Malpensa (-9,048, -34 për qind) dhe Roma Fiumicino (-8 018, -27 për qind). /Monitor/

Të ngjashme