Shqipëria i është bashkuar paketës së 11-ë të sanksioneve evropiane kundër Rusisë, së bashku me disa vende të tjera të rajonit dhe vende të cilat nuk janë anëtare në Bashkimin Evropian.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Këshilli i Evropës, përmes një publikimi në faqen e tyre zyrtare.
Në të, theksohet angazhimi i Shqipërisë, së bashku me vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina, apo Ukraina, të cilat e linjëzojnë politikën me atë të unionit.
Kjo, sipas strukturave evropiane, do të sigurojë se politikat kombëtare të këtyre vendeve, do të jenë në përputhje me gjithë qëndrimet dhe vendimet e KiE-së.
Ndaj, përkushtimi për këtë linjëzim është përshëndetur nga radhët e Bashkimit Evropian.
Po ashtu, në sanksionimin e mëtejshëm të Rusisë, janë bashkuar edhe Islanda, Liechtensteini dhe Norvegjia, shkruan AP.
Paketa e 11-ë, merr një sërë masash sa i takon atyre tregtare, transportit, energjetikës, apo çështjeve të tjera si ato mediatike dhe të sigurisë kombëtare.
Pesë media të tjera ruse janë sanksionuar nga unioni, ndërkohë që i ngrihen asetet edhe 100 individëve të tjerë, të cilët mendohet se kanë lidhje me regjimin e Vladimir Putinit.
Prej nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022, marrja e sanksioneve ndaj Rusisë është parë si një ndër metodat më të frytshme për të ndalur agresionin ndaj Kievit.
Pavarësisht se diçka e tillë nuk është arritur, ka pasur shenja të frenimit të pushtimit rus dhe është vënë re gjithashtu një mungesë e financimit të Moskës në këtë fushatë të ndërmarrë, me pak vende aleate të mbetura pranë Kremlinit.
Shqipëria ka qenë ndërkaq ndër të parat vende, që e ka mbështetur plotësisht fushatën e sanksioneve evropiane ndaj Rusisë dhe i ka aplikuar vetë të gjitha paketat e paraqitura.