Lajme
Shqipëria dënon lajmet e rreme nga Rusia që mohojnë bombardimin e konsullatës në Ukrainë
Demokracia
16:52 | 17 Mars 2022

Share:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka dënuar përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia, të cilat mohuan bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv të Ukrainës.

Në një postim në rrjetin social “Twitter” ministria ka shkruar se pamjet e shkatërrimit të ndërtesave flasin vetë, ndërsa në postim kanë bashkangjitur edhe pamjet e konsullatës së bombarduar, përcjell Demokracia.com.

“Ky shkatërrim i godinës si dhe i dokumenteve në arkiva është shkelje e hapur e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme mbi këtë sulm janë të papranueshme”, thuhet në postimin e ministrisë.

Kujtojmë se Konsullata e Nderit e Shqipërisë në Kharkiv është shkatërruar nga bombardimet ruse më 7 mars.

Ky akt u dënua ashpër nga Shqipëria e cila ka kërkuar që autorët të mbajnë përgjegjësi./Demokracia.com/

Të ngjashme