Lajme
Shqipëri: PS drejt fitores në 5 bashki, Berisha udhëheq në Shkodër
Demokracia
09:29 | 07 Mars 2022
Ilustrim

Share:

Në Shqipëri, ndërsa vijon numërimi për zgjedhjet e pjesshme vendore të zhvilluara dje në 6 bashki të vendit, Partia Socialiste rezulton fituese në të paktën 2 prej tyre, Vorë e Rrogozhinë, ku procesi është mbyllur, dhe udhëheq me diferencë në 3 të tjera (Durrës, Lushnje e Dibër) , përveç Shkodrës, ku në krye, me më shumë vota, është Bardh Spahia, kandidati i lëvizjes së ndërmarrë nga kryeministri Sali Berisha, në garë në emrin e koalicionit Shtëpia e Lirisë, që formalisht mban siglat e LSI-së dhe Partisë Demokristiane. Kandidatët e zotit Berisha, kanë siguruar ndjeshëm më shumë vota se përfaqësuesit e Partisë Demokratike të kryetarit Lulzim Basha, përveç Rrogozhinës.

Vora ishte bashkia ku rezultati u shpall që mbrëmë. Kandidati socialist Blerim Shera siguroi 69.9 për qind të votave, përkundrejt 24.3 për qind të marra nga Lulzim Vrana, i Shtëpisë së Lirisë dhe 6.29 që kanë shkuar për kandidatin demokrat Ymer Marku.

Në Rrogozhinë, po ashtu socialistët arritën të marrin 60.73 për qind të votave me kandidatin e tyre Edison Memolla, ndërsa dy rivalët e tjerë të opozitës ndanë 21.96 për qind (Ferdinand Saraçi i PD) dhe 17.31 për qind (Hekuran Xhani i Shtëpisë së Lirisë).

Shkodra, pavarësisht përçarjes të së djathtës, duket se sërish ka zgjedhur t’i besojë po asaj. Në këtë Bashki, historikisht të drejtuar nga e djathta, kur janë numëruar më shumë se 60 për qind e kutive, udhëheq me mbi 43 për qind kandidati Spahia i Shtëpisë së Lirisë, i ndjekur nga kandidatja socialiste Majlinda Angoni me 39.7 për qind. Diferenca mes tyre është prej pak më shumë se 1200 vota, dhe mundësia e ndryshimit të rezultatit, nuk përjashtohet. Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike Xhemal Bushati ka 16.6 për qind.

Në Durrës, një tjetër qytet i madh dhe i rëndësishëm, socialistët kanë ruajtur epërsinë e tyre. Edhe këtu, kur janë numëruar më shumë se 60 për qind e kutive të votimit, tendenca tregon për një fitore të kandidates Emirjana Sako me 57.7 për qind. Në vend të dytë është kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Ardian Muka me 28.97 për qind, ndërsa kandidati demokrat Luan Hoti ka vetëm 13.3 për qind.

Edhe në Lushnje, socialistët duket se do rikonfirmohen në krye të kësaj Bashkie. Ndërs numërimi po shkon drejt fundit, kandidatja e tyre Eriselda Sefa ka 57.9 për qind të votive. Dy kandidatët e tjerë ndajnë 32.4 për qind (Elton Bano i Shtëpisë së Lirisë) dhe 11.26 për qind të votave (Indrit Sefa i PD), shkraun VOA.

Në Dibër, sërish socialistët janë përpara me diferencë të ndjeshme nga rivalët e tjerë. Kandidati i tyre Rrahim Spahiu është përpara me 63 .07 për qind të votive. Pas tij Shpëtim Kryemadhi i Shtëpisë së Lirisë me 19 për qind dhe Luan Haka me 17.5 për qind.

Të ngjashme