Policia shqiptare tha të shtunën se goditi një grup që dyshohet se kishte ngritur një njësi të paligjshme për prodhimin e kriptovalutave në Fier.
Sipas policisë, gjatë operaciont të koduar “Fabrika”,është arrestuar Fabjo Braçaj nga Fieri, shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, Fatjon Koçi nga Saranda dhe është proceduar penalisht një 61-vjeçar nga Fieri me akzuat për “mashtrimi kompjuterik”, “fshehja e të ardhurave” dhe “vjedhja e energjisë elektrike”.
Policia tha se, “tre personat në bashkëpunim dyshohen për ngritjen në Fier të një strukture për prodhimin e kriptovalutave, të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike, duke krijuar përfitime monetare”, shkruan voa.
Policia ka arritur të sekuestrojë 11 pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, pajisje të telefonisë celulare dhe pajisje të tjera elektronike.
Sipas policisë aktiviteti i prodhimit të kriptovalutave bie ndesh me ligjin shqiptar, “për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.
Njësia e zbuluar në Fier dyshohet edhe për disa shkelje si shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit , dhe vjedhjen e energjisë elektrike.
Sipas ekspertëve të fushës, funksionimi i pajisjeve elektronike në prodhimin e disa llojeve të ndryshme të monedhave dixhitale harxhon sasi të mëdha të energjisë elektrike.