Lajme
Shqipëra zgjidhet në bordin ekzekutiv të UNESCO-s për 4 vitet e ardhshme
Demokracia
22:25 | 15 Nëntor 2023

Share:

Një lajm i mirë ka ardhur për Shqipërinë nga Parisi, ku vendi është zgjedhur zyrtarisht në bordin ekzekutiv të UNESCO-s, për një mandat katërvjeçar, i cili nis më 2023 dhe përmbyllet në vitin 2027.

Lajmin e ka bërë publik ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter.

“Falënderojmë të gjitha shtetet anëtare që na besuan këtë përgjegjësi të rëndësishme dhe presim të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë anëtarët e Bordit, në frymën e dialogut dhe konsensusit”, shkruan kryediplomati shqiptar. “Në një botë të ndarë nga kriza të shumta, ne kemi nevojë më shumë se kurrë të investojmë në paqe. Roli i UNESCO-s është më i domosdoshëm se kurrë”.

 

Teksa një falënderim ai nuk e kursen as për ambasadoren shqiptare në UNESCO, Besiana Kadare, si edhe për gjithë stafin e diplomacisë shqiptare, në arritjen e radhës të rëndësishme ndërkombëtare për vendin.

Shqipëria kështu është mandatuar si pjesë e grupit të dytë të shteteve, të cilat përkojnë me Evropën Lindore, ku po ashtu janë mandatuar edhe Serbia, Sllovakia dhe Republika Çeke.

Njëkohësisht, nga grupi i parë, kanë marrë mandat Italia, Spanja, Franca, Britania e Madhe, Irlanda e Veriut, Gjermania dhe SHBA-të.

Nga grupi i tretë, janë zgjedhur Brazili, Kuba, Republika Domenikane dhe Argjentina.

Nga i katërti, Pakistani, Indonezia, Bangladeshi, Sri Lanka, Republika e Koresë së Jugur dhe Australia.

Prej grupit të pestë në ndarjen e parë, mandatim kanë marrë Mauritius, Nigeria, Mozambiku, Bregu i Fildishtë, Gaboni, Burkina Faso dhe Liberia.

Ndërsa, gjithë bordin, e plotësojnë Katari, Arabia Saudite, Omani dhe Iraku.

Po ashtu, i gjithë konteksti diplomatik për Shqipërinë është në majat më të larta, ku vendi në fund të vitit 2023 përmbyll një mandat tejet të suksesshëm dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ndërsa, javë më parë, Shqipëria arriti të votëbesohet edhe për një mandat trevjeçar në Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Të ngjashme