Lajme
“Shpërthimi” i Glaukut, i kritikon Perëndimin e BE-në nga Amerika: Qasja e tyre në dialog, e gabuar
Demokracia
11:44 | 09 Dhjetor 2023

Share:

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendi të Kosovës, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk dihet nëse ndërrimi i zonës kohore ka ndikuar negativisht, megjithatë Konjufca në intervistën e fundit ishte kritik në fjalët e tij. Ndonëse fliste qetë e me pauza mes fjalëve, një e folme karakteristike për të, Konjufca tingëlloi i ashpër, ndërsa dërgoi edhe disa mesazhe interesante.

Edhe pse dukej krejt i akullt në mënyrën se si fliste, Konjufca u tregua goxha “vullkanik” në shpjegimet e tij. Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e nisi intervistën për “Zërin e Amerikës” me një kritikë. Shënjestra e parë e tij ishte Bashkimi Evropian, të cilin institucion e kritikoi për propozimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nga “Toka e premtuar”, Konjufca deklaroi se propozimi i draft-statutit nuk ishte “hapi më i mirë që ka bërë Bashkimi Evropian”.

“Është e vërtetë që Kosovës i është dorëzuar një version i projekt-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk mendoj që ky ishte hapi më i mirë që ka bërë Bashkimi Evropian. Në të vërtetë, Bashkimit Evropian fare nuk i takonte që ta propozonte një projekt-statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Republika e Kosovës ta prezantonte një statut të tillë. Ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë sonë, një qëndrim shumë i drejtë dhe parimor, të cilin unë e mbështes.” – theksoi ai.

Konjufca nuk ngurroi të tregonte se pse mendon në këtë formë, duke shpjeguar “arsyet” që e shtynë BE-në të propozonte draft-statutin.

“Sa i përket Bashkimit Evropian, po mundohem ndoshta ta shpjegoj arsyen se janë ngutur me propozimin e një statuti të tillë. Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin që procesi ndoshta ngeci. Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua nga ana e Serbisë. Pastaj ndodhi sulmi terrorist dhe akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën, në fshatin Banjskë më 24 shtator. Pastaj bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që ndoshta kjo për një periudhë mjaft të gjatë do ta bllokojë procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye janë ngutur që ta propozojnë një statut, duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Kjo nuk i takon Bashkimit Evropian. Askund, në asnjë dokument kredibil, në të cilin bazohet edhe krejt procesi i negociatave, nuk thuhet që propozimi i statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është kompetencë e Bashkimit Evropian.” – shtoi Konjufca.

Kur përfundoi me BE-në, Konjufca e zmadhoi “territorin” e analizës, duke e kritikuar Perëndimin, të cilin e cilësoi si joserioz. Në fakt, ai e kritikoi qasjen e Perëndimit në dialog, duke konkluduar se më shumë i bën presion Kosovës për Asociacion sesa Serbisë për njohjen e Kosovës.

“Nuk mendoj se perëndimi është serioz nga kuptimi qysh ia kërkon njohjen Serbisë për Kosovën. Deri tani, nuk më duket që Serbia ka ndier ndonjë presion serioz sa i përket njohjes së Kosovë. Unë mendoj se më shumë presion është bërë mbi Kosovën për asociacionin sesa mbi Serbinë për njohjen e Kosovës, nëse i krahasoni se për cilën çështje është bërë më shumë trysni. Kështu që unë mendoj se kjo është një qasje krejtësisht e gabueshme. Kjo qasje nuk do të japë rezultate fare” – deklaroi Konjufca.

Në një sekuencë gjatë intervistës, Konjufca përçoi një mesazh të vetëvendosur, duke këmbëngulur se Kosova s’ka kurrfarë obligimi për “hapa në drejtim të Asociacion”, nëse nuk ka njohje.

“Nëse koncepti i vetëmenaxhimit nuk ndërtohet në një marrëveshje siç ishte ajo e Ohrit, që të jetë me njohjen e Kosovës, atëherë Kosova nuk ka kurrfarë obligimi që të bëjë hapa në drejtim të asociacionit. Në asnjë mënyrë. Pse? Sepse mendoj që nëse e hiqni njohjen nga ekuacioni i relacionit me Serbinë dhe nëse mbetet vetëm asociacioni, ky do të jetë një mekanizëm shumë i manipulueshëm dhe dhumë i shfrytëzueshëm në mënyrë negative nga ana e Serbisë për ta goditur Kosovën. Ne e dimë që ky asociacion do të përbëhej prej përfaqësuesve serbë, të cilët do të mund t’i kontrollonte ndonjë parti politike drejtpërdrejt nga ana e Vuçiçit dhe ata do ta ndërtonin asamblenë e këtij asociacioni.” – sqaroi Konjufca.

Të ngjashme