Ekspertët e shëndetësisë në Britaninë e Madhe po paralajmërojnë shpërthimin e një sëmundje ngjitëse të quajtur “Difteria”, në qendrat pritëse të azilkërkuesve.
Difteria është një sëmundje akute, ngjitëse, që shkaktohet nga një bakter i quajtur Corynebacterium diphtheriae.
Sëmundja prek lëkurën, hundën dhe fytin, deri më tani është përhapur në një qendër të përpunimit të azilkërkuesve në Kent. Në këtë qendër është raportuar më herët të ketë shumë shqiptarë të mbërritur në Britani me gomone, që presin t’u trajtohet kërkesa për azil.
“Ndoshta do të ketë imunitet të mjaftueshëm në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për të parandaluar transmetimin në shkallë të gjerë, por nuk do të më befasojë nëse ndodhin shpërthime më të vogla, të lokalizuara. Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa difteria është potencialisht një kërcënim serioz për shëndetin publik, ajo mbetet e trajtueshme me antibiotikë nëse diagnostikohet mjaft herët”, ka thënë eksperti për “The Sun”.
Sipas ekspertit, infeksioni është potencialisht i rrezikshëm për emigrantët. Deri më tani, 50 emigrantë, përfshirë disa fëmijë, të cilët kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit janë diagnostikuar me difteri, tha ministri i imigracionit.
Kujtojmë gjithashtu se në tetor të këtij viti u raportua se 80% e azilkërkuesve në këtë kamp ishin shtetas shqiptar.
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKSHA), ka njoftuar se dy persona janë shtruar në spital dhe një tjetër ka vdekur, gjithashtu personat me simptoma të difterisë do të vendosen në izolim për një “periudhë të shkurtër” në qendrën e përpunimit Manston në Kent ose do të mbahen në një “qendër izolimi të caktuar derisa të shërohen.