Lajme
Shpenzimet “modeste” të Qeverisë, zyra e Kurtit shpenzon 40 mijë euro për autobusë
Demokracia
14:12 | 27 Qershor 2022

Share:

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur që t’i shpenzojë 40 mijë euro për udhëtime më autobusë jashtë dhe brenda vendit. Llogaritja e shpenzimit të këtyre parave është bërë duke matur me kilometra rrugët që do të bëhen.  

Udhëtimet nëpër Kosovë dhe jashtë saj, punonjësit e zyrës së kryeministrit Albin Kurti kanë vendosur t’i bëjnë më autobusë.

Mirëpo, këto udhëtime nuk do t’i kushtojnë aq lirë Qeverisë së vendit.

Për tenderin “Shërbime të transportit me autobus” janë planifikuar të shpenzohen jo më pak se 40 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Siç është treguar, autobusi do të përdoret për disa raste të veçanta.

“Shërbime të transportit me autobus, minibus brenda dhe jashtë vendit për rastet e përvjetorëve të ndryshëm të organizuara nga ZKM, të mbledhjeve të përbashkëta të Qeverive të vendeve në rajon si dhe forma tjera të organizimit siç janë grupet e ndryshme punuese, trajnime të ndryshme etj.”, thuhet në njoftim e shpallur në KRPP.

Zyra e Kryeministrit ka treguar se vlerësimi për tenderin 40 mijë euro është bërë duke i matur kilometrat që do të bëhen me këtë mjet transporti.

Me autobus jashtë Kosove janë paraparë të bëhen 16 mijë kilometra. Kurse, brenda Kosovës, 7 mijë kilometra.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 40 000,00. Transporti me autobus jashtë vendit 16,000. Transporti me autobus brenda vendit 7,000 . Transporti me minibus jashtë vendit 4,500. Transporti me minibus brenda vendit 4,500”.

Në total, siç është bërë me dije, me 40 mijë euro do të përshkruhen 32 mijë kilometra.

Pranimi i tenderëve dhe hapja e tyre do të bëhet më 18.07.2022 në Zyrën e Kryeministrisë./Demokracia.com/

Të ngjashme