Lajme
Shpëlarja e skandalit të Gërvallës me praktiken e vajzës i kushton Qeverisë 90 mijë euro
Demokracia
12:37 | 20 Korrik 2022

Share:

Qeveria e Kosovës ka miratuar programin me koston 90 mijë euro për Ministrinë e Jashtme, që parasheh inkuadrimin e mërgatës në ‘programin e diplomacisë qytetare’.

“Ministria e Jashtme, kërkon miratimin e programit për diplomaci qytetare. Është program pilot i Ministrisë së jashtme dhe qëllimi është të ndërlidh profesionistët nga mërgata duke iu ofruar hapësirë dhe mundësi angazhimi në MPJD si pjesë e një program gjashtë mujor. Ky program që është në harmoni të plotë me synimet e qeverisë, synon ta forcojë lidhjen e mërgatës me Qeverinë e Kosovës”, tha ministrja Donika Gërvalla sot në mbledhjen e Qeverisë.

Demokracia.com kishte raportuar se Nora Schwarz, vajza 16-vjeçare e ministres Gërvalla-Schwarz, ka marrë certifikatë për kryerje të praktikës në kabinetin e MPJD-së për nevoja të shkollimit të saj në Gjermani, pa e kryer fare.

Siç ka raportuar Demokracia.com javë më parë, Ministrja Gërvalla e ka vendosur ministrinë, asistenten dhe vulën e MPJD-së në dispozicion të vajzës së vet. E një shembull i tillë, që një e mitur të përfundojë praktikë dhe të certifikohet nga institucionet e larta, nuk është hasur deri më tash në Kosovë. Kjo praktikë në kabinetin e nënës së saj, e cila drejton një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, siç shkruan në dokumentin zyrtar, është kryer sipas dispozitave të ligjit gjerman, raporton Demokracia.com.

Vajza e ministres Gërvalla-Schwarz, Nora Schwarz, sipas punonjësve të kësaj ministrie, është parë gjithsej 2-3 herë në objektin e MPJD-së duke e vizituar nënën e saj prej kur ajo është ministre, por nuk ka kryer kurrfarë praktike në këtë dikaster qeveritar. Përkundër kësaj, vajzës së ministres i është lëshuar një certifikatë nga MPJD, e nënshkruar nga asistentja personale e Gërvallës, e cila mban vulën e MPJD-së, por që nuk figuron askund si e protokolluar dhe e arkivuar, sikur ky institucion të ishte kompani private e familjes Gërvalla.

Në njërin nga dokumentet e siguruara nga Demokracia.com tregohet sesi kabineti i ministres Donika Gërvalla – Schwarz shpreh gatishmëri që nxënësen Nora Schwarz nga Gjimnazi në Oelberg, Konigswinter-Oberpleis, ta angazhojë si praktikante në kabinetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/ 

LEXO EDHE:

SKANDALOZE| Gërvalla e shndërron ministrinë në “çerdhe” familjare, vajza e mitur e saj kreu praktikë në MPJD me ligje gjermane

 

Të ngjashme