Lajme
Shpejtim Bulliqi i lë pa shërbime katër fshatra të Podujevës, mbyll Zyrën e Gjendjes Civile
Demokracia
14:36 | 22 Mars 2022

Share:

Katër fshatra të komunës së Podujevës, Dumnica, Dumnica e Epërme, Llausha dhe Përpellaci, me rreth 700 familje kanë mbetur pa shërbime komunale për shkak se qeverisja e Shpejtim Bulliqit e ka mbyllur Zyrën e Gjendjes Civile.

Komuna e Podujevës sqaruar se ky vendim është marrë bazuar në rekomandimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe po ashtu objekti ishte i destinuar për shërbime tjera.

“Arsyeja pse Komuna e Podujevës po e mbyll zyrën e gjendjes civile në Dumnicë është sepse ai objekt është i destinuar për AMF dhe shërbimet komunale janë ofruar vetëm për një afat të caktuar derisa të inventarizohet objekti me pajisjet shëndetësore. Po ashtu, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës na ka rekomanduar që zyrat e gjendjes civile të mbyllen për shkak se me sistemin e ri elektronik që është duke punuar kjo ministri do t’ju mundësohet qytetarëve të marrin shërbimet online”, thuhet në përgjigjen e Komunës për Demokracia.com.

Komuna është arsyetuar ky fshat është afër qytetit dhe nuk do të mbeten pa shërbime.

“Banorët e fshatit Dumnicë nuk mbeten pa shërbime komunale sepse janë afër me Qendrën e Qytetit, ku përveç shërbimeve që mund t’i marrin në objektin e komunës ato mund t’i marrin edhe në dy E-kiosqet brenda në qytet”.

Asamblisti që vjen nga fshati Dumnicë, ku u mbyll Zyra e Gjendjes Civile, Gazmend Islami, këtë vendim të komunës e quan absurd.

Islami ka treguar për Demokracia.com se janë një mori problemesh në këto fshatra dhe sipas tij, qeverisja komunale është duke dështuar në përmbushjen e detyrave ndaj qytetarëve.

“Kjo qeverisje komunale qysh nga fillimi është parë që nuk është duke punuar siç duhet. Nuk është vetëm rasti i mbylljes së Zyrës së Gjendjes Civile në Dumnicë ku marrin shërbime 4 fshatra. Kemi po ashtu edhe problemin e mjekut që Qendra e Mjekësisë Familjare është gati që një vit e rregulluar dhe nuk kemi mjek, kështu që qytetarët detyrohen të shkojnë në qytet të marrin shërbime. Po ashtu problem i madh është fshati Përpellac që është pa energji elektrike dhe kemi fermer që punojnë e tash e katër vite më shumë nuk ka energji elektrike dhe këtë problem e kam cek edhe në mbledhjet e Kuvendit Komunal dhe e kam shtruar si problem”, thotë Islami për Demokracia.com.

Ai ka shtuar se kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, po investon vetëm në fshatrat që i ka fituar votat, duke lënë pjesën tjetër pa investime.

“Siç duket kryetari Bulliqi po i avancon vetëm ato pjesë të fshatrave që e kanë përkrah dhe fshatrat siç është Dumnica, Dumnica e Epërme, Llausha dhe Përpellaci janë lënë jashtë dore dhe në buxhetin për 2022-2023 nuk parashihet asnjë investim”, ka thënë ai.

Ajo që dëshmohet sipas Islamit është se Bulliqi po investon në vendet ku është votuar, ku njëra prej tyre është Zyra e Gjendjes Civile në fshatin Herticë, ku janë investuar 20 mijë euro.

Sipas të dhënave, në këtë fshat jetojnë rreth 50 familje e që Bulliqi në zgjedhjet e fundit lokale ka korrur rezultat të mirë zgjedhor.

Për më tepër, Bulliqi si një nga të arriturat e qeverisjes së tij e kishte prezantuar edhe Zyrën e Gjendjes Civile në Herticë, duke premtuar se do t’i lehtësonte shërbimet ndaj qytetarëve.

Po ashtu, pa shërbime komunale ka mbetur edhe fshati Llapashticë, ku është mbyllur Zyra e Gjendjes Civile. /Demokracia.com/

Të ngjashme