Auto&Tech
Shpallet vendimi për mbylljen e TikTok-ut në SHBA
Demokracia
21:34 | 24 Prill 2024

Share:

Pasi Kongresi amerikan votoi në favor të projektligjit për mbylljen e TikTok-ut, Presidenti Joe Biden i vuri vulën duke firmosur vendimin përfundimtar që do ndalojë përdorimin e TikTok në gjithë SHBA-në.

Zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësimin e tyre lidhur me aplikacionin prej 2020-ës, ndaj morën vendimin që të detyrojnë ByteDance, pronarët e aplikacionit që të gjejnë një pronar të ri brenda 270 ditësh, ose nuk do kenë më asnjë mënyrë që të aksesohen brenda Shteteve të Bashkuara.

Teknikisht, asnjë përdorues i ri nuk do mundet ta shkarkojë aplikacionin brenda kufijve të SHBA-së dhe asnjë host (linjë interneti) nuk do e lejojë përdorimin e tij prej zotërueseve aktualë.

Zyrtarët e TikTok kanë kërcënuar se do të marrin hapa ligjorë për kundërshtimin e ligjit. Në një video të publikuar nga themeluesi i aplikacionit, deklarohet se njerëzit mund të rrinë të qetë, pasi askush nuk do largohet. “Do luftojmë në gjykatë”, thotë ai ndër të tjera, duke shprehur sigurinë se asgjë nuk do të ndodhë. Nëse çështja nuk gjen zgjidhje, në mes të janarit, TikTok nuk do të përdoret më në SHBA nga më shumë se 170 milionë përdorues.

Në muajt e fundit është ngritur shpesh alarmi për popullaritetin që gëzon ky aplikacion, si dhe për faktin që mund të përgjojë njerëzit. Zyrtarë amerikanë dyshojnë se TikTok është i lidhur me Kinën dhe ndan me Pekinin informacione mbi përdoruesit e saj, megjithëse zëdhënës për TikTok e kanë mohuar shpesh si akuzë.

Të ngjashme
Lajme • 04 Maj 2024