Drenica ka qenë afër të marrë një pikë në Suharekë kundër Ballkanit sikur të rezistonte pa pranuar gol edhe për disa minuta.
“Kuqezinjtë” u mposhtën 2:1 nga Ballkani me golin e dytë të vendasve të arritur në minutën e 88-të, shkruan Demokracia.com.
Trajneri i Drenicës, Bekim Shotani tha pas ndeshjes se skuadra e tij nuk mundi t’i përballonte presionit të kampionëve në fuqi.
“Kemi marrë masat në stërvitje për pikat e forta të Ballkanit. Në aspektin tekniko-taktik ishim të detyruar të luajmë në këtë mënyrë, duke pasur parasysh ekipin që kishim përballë. Shënuam gol me kundërsulm, por nuk e përballuam presionin e kundërshtarit. Topat që i kemi humbur i kemi rikuperuar me vështirësi dhe kështu dështuam dhe morëm golin”, ka thënë Shotani për ArtSport.
“Fondi i lojtarëve vendos mënyrën se si luajmë ne. Kemi ekip që kryen më shumë detyra defanzive dhe kjo është pika që na ka dhënë pozitivitet edhe në vjeshtë. Të dy ndeshjet i kemi humbur me fajin tonë”, deklaroi Shotani./Demokracia.com/