Sport
Shotani i lumtur me barazimin, Daja ankohet në lodhjen e futbollistëve të tij
Demokracia
15:28 | 16 Tetor 2022

Share:

Drenica dhe Ballkani kanë ndarë pikët në takimin e zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, raporton Demokracia.com.

1:1 ishte rezultati final i takimit pas 90 minutave lojë. Drenica kaloi e para në epërsi në minutën e 54-të me golin e Mëziut. Avantazhi i “kuqezinjve” zgjati deri në minutën e 81-të kur mbrojtësi Armend Thaqi shënoi gol të bukur për t’i barazuar shifrat dhe njëherit të vendoste epilogun final të kësaj përballjeje.

Trajneri i Drenicës, Bekim Shotani u shpreh i lumtur me barazimin, për të cilin tha se ishte epilog real.

“Duke pasur parasysh që skuadra e Ballkanit po na bën krenarë të gjithëve në Kosovë, ka qenë motiv shtesë. I kemi pasur parasysh vlerat e Ballkanit dhe i kemi marrë të gjitha masat. Jemi munduar t’ia dalim me kundërsulme. Patëm telashe në pjesën e parë dhe kundërshtari kishte shumë krosime dhe na krijoi telashe”, ka deklaruar Shotani për ArtSport.

“Në pjesën e dytë shënuam një gol dhe patëm disa kundërsulme tjera. Qëllimi ynë ishte që mos të pranojmë gol. Por duke pasur parasysh cilësinë që ka Ballkani, pësuam një gol të lehtë. Mendoj që 1:1 është rezultat real”, ka shtuar trajneri i Drenicës.

Në anën tjetër, kryetrajneri i Ballkanit, Ilir Daja u ankua në lodhjen e futbollistëve të tij për shkak të ndeshjeve në Ligën e Konferencës.

“Falënderojë presidenten e klubit të Drenicës për mirënjohjen që na dedikoi presidentit, mua dhe drejtorit të klubit. Ambienti ishte i mirë, por në një moment një nga stafi kundërshtar bëri një veprim që nuk na takon ne trajnerëve. E preku lojtarin, që nuk na lejohet. Ishte rast i izoluar”, tha Daja pas ndeshjes për ArtSport.

“Muskujt i kemi të rënduar pasi intensiteti i ndeshjeve në Evropë është më i lartë. E dinim se një moment do të vinte rënia. Sot e bëm freskimin e ekipit. Me freskinë që patëm mbajtëm kundërshtarin në fushën e vet. Nuk ia heq meritën Drenicës për atë që bëri, por lojtarëve të mi nuk kam çka t’iu kërkoj më tepër. Prodhojmë lojë, raste dhe pjesa e vetme që mund të përmirësojmë është realizimi. Një ambient të bukur të prishet për një incident të izoluar nuk ia vlen”, shtoi ai./Demokracia.com/

Të ngjashme