Lajme
Makina e parë ushtarake shqiptare, “Shota” prezantohet në Panairin e Parisit
Demokracia
18:52 | 17 Qershor 2024

Share:

Është prezantuar në panairin ndërkombëtar EUROSATORY, që po mbahet në Paris, prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare “Shota”. Shqipëria merr pjesë për herë të parë e përfaqësuar nga një kompani 100% shqiptare në këtë panair, ku marrin pjesë rreth 2 mijë kompani nga e gjithë bota.

Ky u cilësua edhe një çast i rëndësishëm nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Prezantohet në panairin EUROSATORY në Paris, prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare Shota. Një moment i rëndësishëm që shënon pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar dhe përfaqëson një arritje të madhe për industrinë tonë të mbrojtjes”, shprehet Peleshi.

Automjeti është i pajisur me një teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, përfshirë transportin e trupave, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë. Qëllimi i krijimit të kësaj makine është fuqizimi i industrisë ushtarake shqiptare dhe jo vetëm.

Në panairin EUROSATORY në Paris marrin pjesë delegacione nga shtete të ndryshme si dhe përfaqësues nga SHBA dhe NATO dhe do të zgjasë nga data 17 deri në 21 qershor.

Çfarë është “Shota”?

Prodhuesi shqiptar i strukturave të automjeteve Timak deklaroi se po ndërton prototipin e parë të mjetit ushtarak të blinduar, i cili do të përfundojë javën e ardhshme.

Kompania e zbuoi prototipin më 17 qershor, në ekspozitën e mbrojtjes dhe sigurisë Eurosatory në Paris.

‘Shota’ është automjeti i parë ushtarak i blinduar “Made in Albania” është një prodhim i ri i çikës sonë bulqizake Arjeta Puca dhe ekipit të saj fantastik të gocave profesioniste”.

“SHOTA, automjeti i parë ushtarak shqiptar, i lindur nga zemra e kombit tonë dhe krijuar nga forca e grave të jashtëzakonshme shqiptare. E fortë, sypatrembur, krenare – SHOTA mishëron frymën e inovacionit dhe fuqizimit”, shkruan kompania që ka prodhuar automjetin ushtarak.

“Shota” është një automjet i blinduar ushtarak i projektuar në Shqipëri për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes.

Automjeti është i pajisur me teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, përfshirë transportin e trupave, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë.

Kompania prodhuese ka theksuar se “Shota” është vetëm fillimi i një serie inovacionesh të reja në sektorin e mbrojtjes, me qëllimin për të fuqizuar industrinë ushtarake shqiptare dhe për të krijuar në vend mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi profesional për të rinjtë dhe gratë.

Faqja e internetit e Timak tani paraqet një kategori të re automjetesh për përdorim policor dhe ushtarak, duke përfshirë automjete për mbrojtje nga shpërthimi, SUV të lehta për transportin e personelit dhe pajisjeve, kamionçina të lehta taktike për transport fleksibël të terrenit dhe transportues të personelit të rëndë për transport të trupave të mëdha.

Puca nuk pranoi të thotë se kur pritet të fillojë prodhimi i automjetit të ri.

E themeluar në vitin 2016, Timak fokusohet në prodhimin, konvertimin dhe instalimin e superstrukturave të automjeteve të ndryshme, si autoambulanca, zjarrfikëse, cisterna uji, automjete për mirëmbajtjen e rrugëve dimërore dhe verore.

Ajo ka zyra në Bullgari, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Turqi dhe Mal të Zi.

Së bashku me familjen, Puca ka themeluar në vitin 2016, kompaninë Timak.

Ajo ka prodhuar deri tani mbi 150 autoambulanca, për spitalet shqiptare si edhe për vendet fqinje si Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Turqia.

Timak me seli në Kashar, është në bisedime, mbi mjete të tjera, të cilat do të arrihet të prodhohen me ndihmën e organizatave të huaja humanitare.

Të ngjashme