OpEd
Shoqëria ruse është e ndërtuar mbi kodin mafioz të ‘nderit’
Demokracia
08:13 | 22 Mars 2024

Share:

Nga Marie Jégo

Sergei Medvedev, është një historian rus i specializuar mbi periudhën post-sovjetike. Në librin e tij të fundit “Një luftë e stisur nga Rusia”, dalë në treg më 15 shkurt, ai analizon dhunën që e përshkon shoqërinë ruse, nga brenda familjeve dhe deri tek institucionet publike.

Ju keni shkruar se lufta e Vladimir Putinit në Ukrainë, është në përputhje të plotë me logjikën e historisë ruse. Ç’doni të thoni me këtë?

Rusia është dhe ka qenë gjithmonë një fuqi ndërluftuese dhe policore. Në një citim që i atribuohet Nikollës I (perandor i Rusisë midis viteve 1825-1855), pretendohet se Rusia nuk synonte të bëhej një fuqi industriale, tregtare apo bujqësore, pasi funksioni i saj thelbësor është të kërcënojë pjesën tjetër të botës.

Duke studiuar historinë e saj, është e qartë se lufta ka luajtur gjithmonë një rol qendror, brenda dhe jashtë vendit. Përgjatë shekujve, Moska ka luftuar jo vetëm kundër fqinjëve por edhe kundër popullsisë së saj, duke monopolizuar burimet dhe duke penguar zhvillimin e pronës private por edhe shtresën shoqërore që prodhon kjo e fundit.

Në fakt, sundimtarët e saj e shohin atë vetëm si një burim tjetër, një “naftë të dytë”. Jeta e njeriut në Rusi është shumë e lirë. Fitoret e mëdha ushtarake të Luftës së Dytë Botërore – beteja e Stalingradit, pushtimi i Berlinit – u arritën me koston e humbjeve të jashtëzakonshme.

Në atë kohë, raporti ishte 10 ushtarë sovjetikë të vrarë për çdo ushtar gjerman. Sot në Ukrainë, janë 3 rusë të vrarë për çdo ukrainas. Në vitin 1945, kur gjenerali amerikan Dëight Eisenhoëer u habit me humbjet e mëdha në kampin sovjetik, marshalli Georgy Zhukov u përgjigj:”S’ka rëndësi; gratë tona do të lindin më shumë ushtarë”.

Njëlloj mendon edhe Vladimir Putin. Ai pretendon se ka të drejtë mbi trupin e qytetarëve, duke u bërë thirrje grave të rrisin numrin e lindjeve. Ai nuk ka nevojë për individë, për qenie njerëzore, por vetëm për ushtarë që të angazhohen në luftërat e tij.

Inflacion i lartë, mungesë vezësh në treg, prishje e sistemeve të ngrohjes në mesin e dimrit, etj. Kriza ekonomike është bërë shumë e përhapur në të gjithë rajonet e Rusisë. A mund të presim një krizë sociale apo edhe kërkesa separatiste? A rrezikon të shpërbëhet Federata Ruse, siç ndodhi me Perandorinë ruse të Carëve apo BRSS?

Nëse Rusia do të shpërbëhet një ditë, kjo s’do të ndodhë për shkak të mungesës së vezëve apo ngrohjes! Popullsia e saj ka një kapacitet të madh për të duruar çdo gjë. Mbi të gjitha, rusët janë të paaftë për të marrë në duar fatin e tyre. Ndryshimet e mëdha të historisë, nuk janë nxitur asnjëherë prej tyre.

Ata u janë nënshtruar atyre. Rusët nuk kishin asnjë lidhje me revolucionin e 1917-ës. Sistemi autokratik u shemb vetvetiu. E njëjta gjë ndodhi me shpërbërjen e BRSS në vitin 1991, e cila ndodhi jo për shkak të protestave popullore, por sepse Moska e humbi Luftën e Ftohtë dhe çmimi i naftës ra në 10 dollarë për fuçi.

Për momentin, nuk ka asgjë që do ta shtynte dikë të besojë se vështirësitë e brendshme ekonomike ose sociale, mund të çojnë një ditë në shpërbërjen e Rusisë. Unë nuk shoh asnjë shenjë për këtë. Nuk ka dyshim se sistemi federal është burokratik dhe kompleks. Në janar pati protesta në Bashkortostan, në rajonin e Lindjes së Largët.

Por kjo nuk mjafton për të parashikuar një fat identik me atë të BRSS. Që të ndodhë një ndryshim thelbësor, duhet të plotësoheshin 3 kushte:Putini duhej të vdesë ose të largohet nga pushteti, ushtria duhet të pësojë një disfatë në Ukrainë, dhe të ndërpriten të ardhurat nga eksportet. Dhe jemi ende larg këtyre skenarëve.

Pse vlerat kriminale dhe nën-kultura e burgjeve, janë kaq dominuese në shoqërinë ruse?

Marrëdhënia midis shtetit dhe popullsisë, u vendos jo sipas një modeli qytetar dhe republikan, por sipas një modeli kolonial, një marrëdhënieje padron-subjekt. Mos harroni se Rusia është një fuqi e madhe penale! Burgjet e saj, janë një ilustrim i përsosur i faktit se qeveria po zhvillon një luftë kundër popullit të vet.

Rajone të mëdha – Siberia, Lindja e Largët – u populluan nga masa të burgosurish të dërguar në kolonitë penale, dhe më pas në gulagë, nga carët dhe më pas nga regjimi sovjetik. Kështu u popullua ajo zonë. Në fakt, popullsia mashkullore është e prekur nga kjo kulturë.

Në mënyrë të pashmangshme, ata kalojnë nëpër këtë fazë në një moment të jetës së tyre. Edhe nëse kjo ndodh vetëm nëpërmjet ushtrisë, një institucion që është edhe një formë burgu, pasi aty zbatohen rregullat e burgut:Pushteti i më të rriturve mbi rekrutët e rinj, poshtërimet dhe trajtimi mizor që u bëhet ushtarëve nga oficerët e komandës. Shoqëria ruse nuk u ndërtua mbi ligje, por mbi atë që në rusisht njihet si ponyatiya, kodi i nderit i mafies, i cili është gur-themeli i jetës në burg. Kjo është bërë edhe më e hapur që kur Putini u ngjit në pushtet.

Më 18 shkurt 2022, 6 ditë para pushtimit të Ukrainës, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se donte që “kodi i nderit të mafias të respektohet ndërkombëtarisht”. Cili është komenti juaj për këtë?

Koncepti i ponyatiya është thelbësor për ta kuptuar shoqërinë ruse. Sot, ai perceptohet gjerësisht nga popullata si themeli i drejtësisë në jetën e përditshme. Shumë më tepër se ligji, që nuk ngjall asnjë besim. Kjo dëshmohet edhe nga popullariteti i serialit televiziv Slovo Patsana (Fjala e djalit:Gjaku mbi asfalt), i cili tregon historinë e rritjes së grupeve kriminale në qytetin e Kazanit në vitet 1980). Për momentin është seriali më i ndjekur.

Edhe burrave rusë që u larguan nga vendi i tyre pasi u shpall mobilizimi në shtator 2022, u pëlqen ky film. Edukimi në rrugë, është thelbësor për rrugëtimin e çdo rusi në jetë. Vetë Putini nuk e humb kurrë mundësinë për të folur mbi të kaluarën e tij si një gangster rruge në Leningradin e pasluftës (sot Shën Petersburg), ku i pëlqen të theksojë, se iu desh të përleshej që të mbijetonte. Shpeshherë në fjalimet e tij ai përdor zhargonin e botës së krimit. Dhe kjo e ndihmon popullaritetin e tij.

Dhuna ka depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes, dhe përdorimi i torturës është bërë i zakonshëm në komisariatet e policisë. Ju keni shkruar se të jetosh në Rusi, është njëlloj si “të ecësh mbi një akull të hollë me ujin e zi që rrjedh poshtë tij”. Është e vërtetë që nuk po kursehet askush?

Dhuna është në qendër të luftës së qeverisë kundër popullit të vet. Në Rusi, dërgimi në një komisariat policie është një përvojë e frikshme. Është më mirë të biesh në duart e banditëve se sa të policisë. Shumë regjime e kanë përdorur dhe vazhdojnë ta përdorin torturën, por në Rusi, ajo është pothuajse sistematike në komisariate dhe burgje.

Janë të panumërta rastet, kur një individ i arrestuar në rrugë për ndonjë çështje të parëndësishme, e gjen veten lakuriq në komisariat, i detyruar të ulet mbi grykën e një shisheje. Burrat përdhunohen për t’i poshtëruar, duke përdorur të gjitha llojet e objekteve: shishe, kunja, armë, fshesa.

Këto skena filmohen dhe pamjet shfaqen në qeli por edhe familjeve të tyre etj. Përdhunimi është pjesë e “edukimit në burg”. Individi i përdhunuar – në rusisht opuscheniy – i humbet menjëherë të gjitha të drejtat dhe zbret në shkallën më të ulët të shkallares shoqërore.

Rojet e burgut e përdorin sistematikisht këtë metodë. Atë e përdor edhe policia. Kështu ndodhi me poetin e ri Artyom Kamardin. Në vitin 2022, ai lexoi poezi kundër luftës në Moskë përpara statujës së Vladimir Mayakovsky, një poet dhe dramaturg i njohur rus i shekullit XX- të.

Menjëherë pas kësaj, policia erdhi për ta arrestuar në shtëpinë e tij dhe e përdhunoi. Dhe në dhjetor 2023, ai u dënua me 7 vjet burg. Kjo është një formë klasike dhe e zakonshme e fashizmit, por pa mobilizimin popullor dhe pa paradat me pishtarë.

Ju keni cituar një studim sociologjik të kryer në rajonin Krasnoyarsk të Siberisë, që përshkruan armiqësinë dhe përbuzjen e grave ndaj burrave të tyre. Gratë janë të lumtura t’i dërgojnë në luftë burrat e tyre “që nuk vlejnë një grosh”, dhe nëse vdesin, të marrin pensionet e tyre të vdekjes, si një mënyrë për t’u larguar nga Siberia. A është kjo një dukuri e përhapur?

Imagjinoni gjendjen e vështirë të grave në këto rajone të largëta! Ato rritin shpesh vetë 2 ose 3 fëmijë, ndërsa burrat e tyre të papunë, pinë gjithë ditën në klube dhe shpesh i rrahin kur kthehen në shtëpi. Papritur, këtyre grave u thuhet se burrat e tyre po shkojnë në vijën e frontit; se do të marrin 200, 300 apo 600 mijë rubla në muaj (2.000, 3.000 apo 6.000 euro), dhe nëse vriten do të marrin 7 milionë rubla, ose rreth 100,000 euro!

Është një shumë e madhe parash, e cila i inkurajon shumë meshkuj të regjistrohen. Kur vdesin dhe paguhet kompensimi, familjarët bëhen bashkë për të pirë në kujtim të të ndjerit dhe blejnë televizorë, makina dhe apartamente. Rrjetet televizive kanë transmetuar një numër raportimesh në rritje mbi këto “histori të bukura”.

A e kanë gjykuar vazhdimisht udhëheqësit perëndimorë BRSS dhe Rusinë?

Në mesin e shekullit XX-të pati 2 regjime totalitare. Njëri i udhëhequr nga Hitleri dhe tjetri nga Stalini. Që të dy bashkuan forcat në vitin 1939 për të sulmuar Poloninë dhe shtetet baltike. Prandaj, përgjegjësia për këtë luftë ishte e barabartë për Bashkimin Sovjetik stalinist dhe Gjermaninë e Hitlerit.

Natyrisht, kur BRSS u pushtua nga ushtria gjermane më 22 qershor 1941, ajo u detyrua të mbante anën e Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së. Nuk kishte zgjidhje tjetër. Unë e kuptoj se kujtimi i fitores në Stalingradit në shkurt 1943 është ende i gjallë, madje edhe në Francë.

Por nuk duhet të harrojmë se Stalini ishte edhe aleat i Hitlerit. Le ta pranojmë: sistemi stalinist nuk ishte as më shumë e as më pak se sa një variant i fashizmit. Mjerisht, Lufta e Dytë Botërore nuk u zhvillua deri në fund. Njëri totalitarizëm u shkatërrua, ndërsa tjetri mbeti në këmbë. Vladimir Putin është mishërimi i kësaj të fundit dhe është padyshim trashëgimtari i fashizmit stalinist./Gazeta Si

Të ngjashme
OpEd • 22 Maj 2024