COVID-19KosovaSot:952Të gjitha:284,965|Bota 589,655,224
OpEd
“Shoqëria imituese”: Dy trendet sociale konsumuese dhe një faturë e papaguar
Demokracia
12:19 | 22 Qershor 2021

Share:

Dallimi mes një koncepti origjinal dhe një koncepti imitues, qëndron në faktin e thjeshtë se koncepti origjinal nuk ka një të dytë pararendës. Ai është pikënisje, është prototip. Është diçka që ka nisur për shkak të natyrës së vet për të përmbushur një nevojë dhe nuk është ndikuar nga një model tjetër.
Për dallim, koncepti imitues që në pikënisje ka një të dytë. Ai ekziston pikërisht se ekziston një i dytë, apo më mirë të thuhet, një i parë. Ai nuk ka një natyrë të tijën autentike por përpiqet t’i adoptohet dhe t’i mvishet natyrës së konceptit origjinal.
Në rrafshin filozofik, ka shumë çka të debatohet se çfarë e përbën konceptin origjinal dhe imitimin e tij. Por në këtë rrafsh, së paku debatohet dhe përpiqet të shënohet dallimi.
Në mjedisin tonë jetësor e social kosovar, kjo gjë sot nuk është e rëndësishme. Jo për shkak se nuk ka rëndësi, por për shkak se rëndësia e saj është nënshtruar nga prodhimi masiv i imitimit të koncepteve origjinale. Është e dukshme se një të tillë e hasim pikë së pari tek konsumi dhe mënyra jonë e perceptimit të roleve, nevojave dhe nxitjeve për konsum.
Nuk mund të themi se shoqëria jonë është shoqëri konsumuese, për shkak se të dhënat statistikore dëshmojnë që për pjesën më të madhe të saj, konsumi është tejet bazik dhe nuk hyn në kategorinë e “klasës konsumeriste”. Megjithatë, duhet ta themi hapur se nëse jo për nga përmasat, gradualisht po bëhemi një imitim i konsumerizmit.
Këtë mund ta shohim nga përcaktimet për blerje. Kurdo që blejmë produkte që s’janë bazike për jetesë, blerja shoqërohet me mungesën e logjikës së vetëdijes eko-blerëse, apo me arratisjen nga modeli i të jetuarit thjeshtë. Kudo që flasim për blerje, flasim për mundësitë që janë hapur para nesh për të poseduar, por fare pak për nevojat reale që na i përmbushin blerjet. Ne blejmë gjërat bazike por për to nuk mendojmë. Ne mendojmë vetëm kur duam të blejmë ato gjëra jo bazike, sepse përmes tyre e shohim rritjen e standardit jetësor dhe mbi të gjitha statusit që vjen me to.
Kjo mënyrë e të sjellurit në traditën konsumuese që po zë vend dhe në fakt ky standard i jetesës që pretendojmë, para se të jetë mirëfilli i tillë, është një arratisje e vazhdueshme nga nevojat themelore, duke iu përshtatur imitimit të tyre. Modeli i të vetë perceptuarit të rolit dhe përcaktimit tonë për blerje, si arratisje nga nevoja dhe ofrim me imitimin nuk është i ri, por për nga përmasat që po zhvillohet, sot është pothuajse i tillë. Pra jemi vënë pas matjeve numerike, më shumë sesa çështjeve esenciale, duke shmangur në tërësi etikën e konsumit.
Natyrisht se nuk mund të pretendojmë se dinamikën tonë të përditshme duhet ta lidhim me rrëfimin për gjilpërën që hidhej, duke mos pasur konsideratë për minatorin që kishte nxjerrë nga thellësia minerale nikeli, të cilat fillimisht ishin shkrirë në shkritore, për tu dërguar si shufra metali në një repart fabrike, e për tu përpunuar më vonë në detaje deri në përfitimin e saj. Por nëse nuk mund ta shpjegojmë sjelljen tonë me “moralin e gjilpërës”, gjithsesi se do shohim se diçka mungon në këtë hallkë që lidhet me etikën e konsumit.
Sot, për dallim nga kjo etikë e konsumit, vlen moda e përmbushjes serike numerike. Ky stil konsumerist jashtë esencial, tashmë edhe në Kosovë po sjell në pah dy trende themelore që hasen kudo përreth nesh.
Së pari, prirjen për konsum mbi bazën e një modeli sipas të cilit, çfarë do që kemi sot apo që synojmë ta kemi në një të ardhme të afërt, e shohim si të mundshme duke ua shtuar thjeshtë probabilitetin dhe njohjen e kombinimeve që na duhen për t’i poseduar ato. Pra, blerja është mësymje dhe si e tillë, e pandalshme. Së dyti, idenë se s’kemi nevojë fare të dimë për prejardhjen e kësaj mundësie që është hapur para nesh, dhe as për ligjet organike mbi të cilat ajo na ofrohet.
Këto dy trende po nxisin kësisoj një botëkuptim konsumerist të bazuar në kalkulime, i cili shpesh herë zhveshë edhe vetë njeriun nga disa anë themelore të personalitetit të tij. Pra, nuk dominon shija por mundësia. Nuk ndërtohet karakteri por përshtatet moda. Moda rrjedhimisht, është mode e konsumit.
Në “traumën sociale” që kultivon kjo mënyrë vibrante e funksionimit të agjensve të tregut dhe përcaktimit për blerje si modë që hasim aktualisht, arrihet një ndikim social i dukshëm. Ajo i shmangë njerëzit nga shoqërizimi, duke i kompensuar me mallra. Ata nuk flasin për vetën e tyre, por këtë ua delegojnë gjërave të blera. Realisht, vetë blerjet zëvendësojnë një lloj marrëdhënie. Por ajo është marrëdhënie mes gjerash, jo mes njerëzish.
Kësisoj gradualisht ne po lejojmë të përfaqësohemi nga gjërat, jo nga vetëdija. Pra nuk jemi ne që përfaqësojmë atë çfarë jemi, por këtë detyrë ua kemi lënë gjerave që posedojmë. Kësisoj, ato kanë për detyrë të na definojnë atë çfarë përfaqësojmë, atë çfarë kemi, atë çfarë jemi dhe cilit rang i përkasim.
Para kësaj “furtune konsumi të pafundmë”, prej të cilës ne përpiqemi të bëhemi ajo çfarë në esencë nuk e ndjejmë të nevojshme të jemi, marrin formë dhe përmbajtje edhe vetitë tjera sociale me të cilat shpjegojmë ritmin e përditshëm socio-kulturor. Kështu e relativizojmë nevojën për t’u lidhur me njerëz dhe komunitet. Kështu relativizojmë gjuhën si element të shprehjes. Kështu relativizojmë fuqinë e argumentit dhe ndjeshmërinë objektive për rolin tonë social. Kështu madje relativizojmë edhe shfrytëzimin e burimeve, edhe natyrën, edhe klimën edhe çdo gjë tjetër që s’na takon si çështje, për të cilat realisht, s’kemi as ndërgjegjësim.
Por cila është fatura e vërtetë e këtij imitimi dhe kush paguan më së shumti në këtë rast?
Natyrisht se përderisa s’ka ndërgjegjësim të gjithsecilit, kostoja është e askujt në veçanti, por e të gjithëve kolateralisht. Sa më shumë të shtyhet ballafaqimi me të, aq më shumë dëm kolateral do të paguajmë në të ardhmen. Sado që shtyhet ballafaqimi me të, ai ka për të ndodhur gjithsesi.
Në këto rrethana, çështja nuk shtrohet vetëm në rrafshin e shijeve personale, por edhe atyre sociale e politike. Sepse ndonëse nuk kuptohet në parim, ka një lidhje të fuqishme në mes të prirjeve që kemi, mënyrës se si përpiqemi t’i realizojmë ato dhe agjendës përmes së cilës legjitimojmë këto prirje.
Në këtë kuadër, na dalin përpara dy tipare që janë në shpërputhje me njëra-tjetrën. Qytetari dhe Konsumatori. Secili nga ne jemi njëkohësisht edhe qytetar edhe konsumator. Dallimet themelore mes këtyre dy anëve që mund të gjenden tek i njëjti person, qëndrojnë në një listë vetish themelore. Qytetari mendon për publiken, ndërsa konsumatori për privaten. Qytetari mendon për interesin kolektiv ndërsa konsumatori për atë personal. Qytetari ka ide, ndërsa konsumatori para. Qytetari ka bindje, ndërsa konsumatori ka shije.
Dëmi në këtë rast bëhet kur nga ky raport që do të duhej të ishte i balancuar, konsumatori e dominon në tërësi qytetarin. Dëmi në katror bëhet kur konsumatori që ka harruar instinktin e qytetarit, është vënë pas një mode përmes së cilës pretendon të përmbushë çdo gjë që qytetari veçse e ka në vetën e tij.
Këto anë të kundërta megjithatë, krejt natyrshëm do të duhej të kishin një pikëtakim, i cili varet shumë prej vetëdijes së kohës, kontekstit dhe hapësirës. Kjo më tutje përkthehet në atë çfarë ka relevancë në kohë, hapësirë dhe kontekstin e caktuar. Dhe në këtë relevancë, zen vend edhe konstruktet sociale, politike e kulturore me të cilat ndeshemi.
Në këtë drejtim, nxitës të modës janë pa dyshim edhe agjensët social ndërveprues. Në mesin e tyre, partitë politike dhe politikanët. Por kjo që do të duhej të ishte një mënyrë kooperimi, në Kosovë është deficit. Asnjëra nga partitë politike nuk ka ndërtuar një trashëgimi të qëndrueshme konceptuale që lidhë relacionin mes nevojës dhe kontigjencës, në mes të potencialit dhe konservimit, në mes të natyrës dhe shfrytëzimit. Asnjëra nga to nuk ka shpjegim alternativ se si do të mund të rrugëtonte shoqëria jonë dhe individi i lirë drejt një vetëdije dhe ndërgjegjësimi më të madh për korridoret e nevojshme që i duhen gjithsecilit prej nesh, pa qenë e nevojshme të përfaqësohemi nga gjërat.
Prandaj, nuk është e habitshme që shoqëria jonë s’po arrin të ndërtojë pikëpamje të qëndrueshme civike. Ajo është dhënë pas modës që diktohet nga gjërat. Se si do të rrjedhë e ardhmja, kjo nuk është çështje hipoteze. Por nëse ua kemi lënë këtë të ardhme që t‘na diktohet nga konsumi dhe gjerat, së paku duhet të insistojmë që përmes tyre, ne përfaqësojmë vetëdije civike, e jo që ato të na përfaqësojnë neve si personalitete.
Fundja, çfarë vlere kanë gjërat, nëse ndërgjegjësimi rreth tyre është i vakët. Çfarë statusi është ai ku vlera përcaktohet nga blerja që imiton vetëdijen, e jo nga vetëdija.

Të ngjashme